Lidh fshatin Kuç me Qeparoin, çahet rruga e lumit të Vlorës, dyshohet të jetë shkaktuar nga…
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim kryesisht ndaj kompanisë që po punon për zgjerimin e Korridorit të VIII në zonën e Dragostunjës ku ka ndodhur rrëshqitja masive e tokës në aksin Përrenjas-Librazhd.
Gazetarja Bruna Kërçyku, raporton se hetimi do të fokusohet në shkaqet që çuan në rrëshqitjen masive e cila shembi rrugën, linjën hekurudhore, linjat elektrike e rrezikon më tej.
Prokuroria në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente do të verifikojë lejen për marrjen e inerteve në Shkumbin dhe zbatimin e saj. Hetimet e prokurorisë nisën pas denoncimit me pamje filmike në Top Channel.
Objekt i hetimit do të jetë e gjithë rruga pra nga Peqini në Qukës që mbulon zona e Prokurorisë së Elbasan, pasi lumi Shkumbin po shfrytëzohet masivisht në disa zona.
Autoritetet kanë stakuar linjën e tensionit të lartë dhe do të demontohet shtylla e tensionit të lartë, pasi po rrëshqet.
Situata në segmentin rrugor është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës, duke rritur rrezikun për çdo lloj qarkullimi.
Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme autoritetet ndaluan fillimisht lëvizjen e automjeteve dhe më pas edhe qarkullimin e këmbësorëve, si dhe të mjeteve të emergjencës, zjarrfikëse, polici e ambulanca, për shkak të rrezikut të lartë dhe pamundësisë për të identifikuar zonat e dëmtuara në errësirë.
Zona mbetet e izoluar dhe nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa rreziku i shembjes së plotë të strukturës konsiderohet i lartë.
Top Channel