Specialistët e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, duke ndaluar një person dhe shpallur në kërkim disa të tjerë për dhunë dhe kanosje në fshatin Rrjollë.
Në të njëjtën kohë, janë referuar materialet në Prokurori për konflikte të tjera, aksidente rrugore dhe raste dëmtimi, duke përfshirë një të mitur të përplasur dhe një incident në Doganën Hani i Hotit, ndërsa vdekja e një shtetasi dyshohet të ketë qenë natyrale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. M., 60 vjeç, banues në fshatin Rrjollë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit L. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torrovicë; M. K., 33 vjeç, banues në fshatin Malecaj; D. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe; A. M., 30 vjeç, banues në fshatin Rrjollë dhe N. K., 35 vjeç, banues në fshatin Malecaj.
Këta shtetas dyshohen se dje, në fshatin Rrjollë, kanë goditur shtetasin L. A., 22 vjeç, banues në Tropojë, punonjës i firmës “Gener 2”, dhe kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasen V. C., 30 vjeçe, banuese në qytetin Koplik, punonjëse policie e Komisariatit të Policisë Shkodër, si dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë nxitur akte dhune, duke dëmtuar disa mjete pune (ekskavator, foristradë) të firmës “Gener 2”, duke u thyer xhamat.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. L., 29 vjeç, banues në Shkodër, pasi në ambientet e një subjekti tregtar është konfliktuar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta shtetasit P. C., 36 vjeç, banues në Shkodër, për motive të dobëta,
-referuan materialet në Prokurori, njoftim mbi faktin, pasi dje, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në banesën e tij, ku jetonte i vetëm, është gjetur i pajetë shtetasi A. K., 59 vjeç. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se vdekja ka qenë natyrale.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. B., 45 vjeç, banues në Shkodër, pasi, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur një të mitur 8-vjeçare, e cila po ndërpriste rrugën. Si pasojë, e mitura ka pësuar frakturë në këmbë dhe, pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, u largua në drejtim të banesës.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, njoftim mbi faktin, pasi dje, në territorin e Doganës Hani i Hotit, Malësi e Madhe, shtetasja M. K., 57 vjeçe, banuese në Podgoricë, Mali i Zi, ka rënë në kanalin e kontrollit të kamionëve. Si pasojë, është dëmtuar pasagjerja në automjet, shtetasja M. D., e cila, pas mjekimeve në Spitalin Rajonal Shkodër, u dërgua për shërbim më të specializuar në QSUT Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel