Historia e Punch, majmuni i vogël në një kopsht zoologjik në Japoni që po bën xhiron e rrjetit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendoste tarifa shtesë prej 10% për importet nga të gjitha vendet, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i shpalli të paligjshme shumë nga tarifat që ai kishte vendosur ndaj partnerëve tregtarë të Uashingtonit.
Donald Trump e njoftoi vendimin e tij në një postim në platformën Truth Social, duke deklaruar: “Është nder i madh për mua që sapo kam nënshkruar në Zyrën Ovale një tarifë globale prej 10% për të gjitha vendet, e cila do të hyjë në fuqi pothuajse menjëherë.”

Për herë të parë, presidenti amerikan aktivizoi Seksionin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i lejon presidentit të vendosë tarifa deri në 15% për deri në 150 ditë, pa miratimin paraprak nga Kongresi.
“Nuk kam pse ta pyes Kongresin për tarifat”, theksoi ai ditën e djeshme, duke shtuar se të ardhurat nga tarifat “do të rriten”. Siç sqaroi ai, “tarifat globale” prej 10% do të jenë në fuqi për pesë muaj dhe do t’u shtohen atyre që janë tashmë në fuqi.
I pyetur nga gazetarët nëse Shtetet e Bashkuara do të duhet të paguajnë çdo para të mbledhur deri në vitin 2025 nga tarifat që u konsideruan të paligjshme, Trump tha se nuk ishte e qartë nëse do të kishte ndonjë kompensim. “Në fund të fundit, ne do të jemi në gjykatë për pesë vitet e ardhshme”, tha ai.
Lëvizja e Shtëpisë së Bardhë vjen pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi shumë nga tarifat e mëparshme të vendosura ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së.
Presidenti nisi një sulm të ashpër ndaj Gjykatës Supreme, duke thënë: “Më vjen turp për disa nga anëtarët e saj që nuk patën guximin të bënin atë që është e drejtë për vendin tonë”.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai akuzoi gjyqtarët se po demonstronin “qëndrime jopatriotike dhe mosbindje ndaj Kushtetutës sonë”, ndërsa gjithashtu pretendoi se ata “iu nënshtruan ndikimeve të huaja”.
Iniciativa e re e Trump intensifikon përballjen me gjyqësorin dhe hap një cikël të ri pasigurie politike dhe ligjore rreth politikës tarifore të SHBA-së.
Top Channel