Erozioni kërcënon rrugën bregdetare në Durrës, dallgët e detit dëmtojnë segmentin rrugor në Porto Romano

21/02/2026 14:41

Deti ka përparuar në zonën bregdetare në veri të qytetit të Durrësit, duke shkaktuar dëmtime në argjinaturën e rrugës që lidh hidrovorin me Bishtin e Pallës.

Pas dallgëve të forta të ditëve të fundit, gurët mbrojtës janë zhvendosur, ndërsa segmenti rrugor paraqet rrezik për dëmtime të mëtejshme.

Fenomeni i erozionit në zonën e Porto Romanos e më tej ka qenë i vazhdueshëm ndër vite, por episodet e fundit e kanë përshpejtuar procesin gërryes. Këto ditë, ndërmarrja Rruga ka kryer ndërhyrje emergjente me hedhje gurësh për të siguruar qëndrueshmërinë dhe qarkullimin në rrugë.

Edhe brezi i rërës është ngushtuar ndjeshëm në zonë. Krahas faktorëve natyrorë, ndikim kanë pasur edhe ndërhyrjet e pakontrolluara ndër vite.

Për të shmangur rrezikun ndaj infrastrukturës dhe mjedisit, kërkohet nje projekt i qëndrueshëm për mbrojtjen e kësaj zone bregdetare.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB