Si sot plot 20 vite më parë ndodhi grabitja më e madhe në historinë e Britanisë së Madhe me protagonistë edhe dy shqiptarë.
U grabitën në zonën e Kentit në jug të Anglinë plot 53 milion stërlina nga të cilat 32 milion nuk u gjetën kurrë.
Dy të rinjtë nga Tropoja Jetmir Bucpapa dhe Ermir Hysenaj, që të dy emigrantë në shtetin ishull luajtën një rol të rëndësishëm në këtë grabitje në depon e parave e cila i përkiste Bankës së Anglisë. Pas arrestimit të tyre disa javë pas grabitjes e më pas në gjykatën e krimeve të rënda Old Baily u mësuan rrolet e dy shqiptarëve.
Sipas prokurorit në këtë çështje thënieve të tij i referohet Top Channel, Ermir Hysenaj ishte i punësuar në depon ku sistemoheshin paratë dhe bëheshin gati për ti çuar nëpër automatet e bankave. Ai u quajt gjatë procesit gjyqësor si “inside man” njeriu i brendshëm i grupit që realizoi grabitjen e vlerësuar nga gjykatësi çështjes si e “realizuar me një disiplinë ushtarake”.
Hysenaj me një kamera të fshehtë filmoi hyrje daljet dhe sistemet e alarmit të depos. Po ashtu u gjet edhe një hartë e shkruar prej tij me të dhëna për planimetrinë e depos. Të dhënat iu kaluan bashkëpatriotit të tij nga Tropoja Jetmir Bucpapa i cili punonte roje sigurie në lokalet e natës të zonës Kent dhe kishte njohje me njerëz të fuqishëm të krimimit të organizuar në këtë zonë.
Pas një gjyqi disa mujor Bucpapa dhe Hysnaj u gjetën fajtor. Pas vuajtjes së dënimit të dy janë dëbuar në Shqipëri. Në procesin gjyqësor Jetmir Bucpapa u akuzua si pjesmarrës edhe në marrjen peng të menaxherit të depos Colin Dixon. Duke mbajtur maska dhe duke përdorur armë zjarri, përfshirë një automatik Skorpion dhe të paktën një pushkë gjahu shtatë grabitësit i lidhën punonjësit e depos te tmerruar përpara se t’i mbyllnin ata në kafazet e parave.
Banda rrëmbeu menaxherin e depos, Colin Dixon, ndërsa ai po shkonte në punë — ndërkohë që gruaja dhe djali i tij u rrëmbyen veçmas në shtëpinë e familjes — në orët që paraprinë grabitjen. Pas një gjyqi në vitin 2007, Stuart Royle, Roger Coutts, Lea Rusha dhe Jetmir Bucpapa u dënuan të gjithë me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në grabitje. Emir Hysenaj, kishte filmuar me kamerë të fshehtë planimetrinë e depos gjatë kohës që punonte aty, u dënua gjithashtu me 20 vjet burg.
Hysenaj, banues atë kohë në East Sussex në kohën e dënimit, kishte filluar punë në depo dy muaj para grabitjes dhe në gjykatë u tha se ishte lidhur me bandën përmes shqiptarit tjetër, Bucpapa. Anëtarët e bandës, Lee “Lightning” Murray, një luftëtar i arteve marciale të përziera i konsideruar si një “boss i madh”, dhe miku i tij i ngushtë Paul Allen, u përpoqën të arratiseshin drejt Marokut.
Superintendenti Detektiv Gavin Moss, Shef i Krimeve të Rënda në Policinë e Kentit, tha: “Edhe pse grabitja e Securitas në vitin 2006 nuk është aktualisht një hetim aktiv, ajo mbetet nën rishikim të rregullt dhe ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje kujtdo që ka informacion të dalë përpara”.
“Në 20 vitet që nga kryerja e krimit, kemi bërë hetime në mbarë botën, si për të identifikuar përgjegjësit ashtu edhe për të rikuperuar paratë e mbetura që u vodhën, dhe do të vazhdojmë të veprojmë mbi çdo provë të re që mund të dalë në të ardhmen”.
“Me kalimin e kohës që nga incidenti, është e qartë se një pjesë e madhe e parave të mbetura tani është e pagjurmueshme megjithatë ne po vazhdojmë të shqyrtojmë mundësi përmes Aktit për të Ardhurat nga Krimi për të sekuestruar pasuri nga personat e përfshirë.”
Top Channel