NASA bën njoftimin e rëndësishëm: Fluturimi i parë me pilot rreth Hënës në 50 vjet në fillim të marsit
Suedia do të instalojë këtë vit një sistem alarmi për telefona celularë për të paralajmëruar qytetarët për sulmet ajrore në kohë lufte, duke u frymëzuar nga një sistem i ngjashëm në Ukrainë, tha të hënën agjencia përgjegjëse për projektin.
Projekti po zhvillohet nga Agjencia Suedeze e Emergjencave Civile dhe është frymëzuar nga përvoja e Ukrainës në përballjen me luftën.
Sipas Henrik Larsson, kreu i departamentit të mbrojtjes civile në agjenci, përvojat nga Ukraina kanë treguar se sistemet tradicionale të alarmit në natyrë mund të bëhen objektiv i sulmeve. “Bazuar në përvojat që kemi pasur në Ukrainë, kemi parë se armiku, në këtë rast Rusia, do të shkatërronte sistemin tonë të jashtëm të alarmit”, deklaroi ai për AFP.
Aktualisht, Suedia disponon rreth 4,500 sirena të vendosura në çati dhe ndërtesa të larta në mbarë vendin. Sistemi i ri, i quajtur SE Alert, do ta plotësojë këtë infrastrukturë ekzistuese. Në rast rreziku, telefonat celularë të lidhur me rrjetin kombëtar të telekomunikacionit do të lëshojnë automatikisht sinjale zanore dhe do të vibrojnë për të paralajmëruar qytetarët.
Zbatimi i sistemit pritet të përfundojë brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Përveç situatave lufte, ai do të përdoret edhe për emergjenca në kohë paqeje, si aksidente bërthamore apo kimike.
Ndërkohë, agjencia po bashkëpunon me forcat e armatosura suedeze për të zhvilluar një aplikacion të ri, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të fotografojnë dronët e dyshimtë dhe të njoftojnë autoritetet.
Masat janë pjesë e rritjes së përgatitjes dhe forcimit të “mbrojtjes gjithëpërfshirëse” të Suedisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Top Channel