SHBA e “nxori” nga bisedimet, Europa forcon diplomacinë e saj me Rusinë?!

20/02/2026 12:52

Në Bashkimi Europian po intensifikohet debati për emërimin e një të dërguari të posaçëm që do të angazhohej drejtpërdrejt me Rusinë, në një kohë kur Europa ka mbetur jashtë bisedimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Negociatat e fundit tripaleshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Gjenevë dhe Abu Dhabi u zhvilluan pa përfaqësim evropian. SHBA-ja, nën drejtimin e presidentit Donald Trump, ka marrë rol kyç ndërmjetësues, ndërsa BE-ja ka vijuar qasjen e saj përmes sanksioneve ekonomike dhe mbështetjes ushtarake për Kievin.

Propozimi për një të dërguar të posaçëm do të përfaqësonte një ndryshim taktik, duke hapur mundësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me Moskën.

Megjithatë, brenda BE-së ka ndarje të theksuara. Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbështetur ruajtjen e kanaleve të komunikimit me Kremlinin, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz është shprehur më i rezervuar, duke theksuar se çdo dialog duhet të bazohet në gatishmërinë reale të Rusisë për armëpushim dhe paqe.

Ndërkohë, vendet e Europës Lindore druhen se lëshimet e parakohshme të bëra presidentit rus Vladimir Putin mund të inkurajojnë pretendime të mëtejshme territoriale.

Analistët theksojnë se përçarjet nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht dobësi, por reflektojnë diversitetin e interesave brenda bllokut. Pavarësisht debatit diplomatik, BE-ja po përgatit paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se të ardhurat ruse nga energjia kanë rënë ndjeshëm dhe se sanksionet do të vazhdojnë derisa Moska të angazhohet në negociata serioze për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Debati për të dërguarin e posaçëm pasqyron sfidën më të madhe të BE-së: si të ruajë unitetin e brendshëm, ndërsa kërkon një rol më të drejtpërdrejtë në përcaktimin e arkitekturës së sigurisë në Europë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB