“Rama sulmoi selinë e PD”, Berisha flet pas protestës: Mbushën xhaminë me gaz, mbushën komisariatet me qytetarë që s’kishin lidhje

20/02/2026 21:56

Pas protestës së katërt kombëtare të opozitës, Sali Berisha, mbajti fjalën e tij përpara selisë së PD-së.

Ai tha se policia ka hedhur gaz lotsjellës drejt selisë së PD dhe gjithashtu drejt xhamisë, duke i prishur faljen besimtarëve myslimanë.

Ai gjithashtu shtoi se do të njoftojë një ditë tjetër sa i përket datës së protestës së radhës.

“Rama sulmoi selinë e PD. Është mundim i madh për ne të përmbajmë qytetarët dhe sulmet e tyre ndaj selive të krimit. Por ata janë të gatshëm të na godasin ato në çdo moment për t’i bërë ato të paqena. Prandaj, urrejtjen atavike që ke ndaj pluralizmit, mos e shpreh duke hedhur bomba tymi dhe bombula gazi ndaj selisë së PD-së.

Ne jemi kryengritës paqësorë, por ne nuk tolerojmë sulmin ndaj selisë sonë. Edhe njëherë, jemi të gatshëm absolutisht, nga mëngjesi deri në mesnatë, të përgjigjemi siç e meritojnë. Por përshkallëzimi i sotëm tejkalon çdo lloj krimi. Sot, besimtarët myslimanë, pas iftarit, Zoti u a pranoftë, janë kthyer në xhami për të falur namazin, për të vazhduar lutjen ndaj të gjithëfuqishmit, Allahut të Madh.

Me qëllim që territori i xhamisë të mos përfshihet nga asnjë lloj përballje, forcat e armatosura devijuan në krahun kundërt. Por kjo nuk mjaftoi. Banditë me uniformë kanë hedhur bomba tymuese dhe bombula gazi në kate të ndryshme të xhamisë, në një kohë kur besimtarët po faleshin.

E mbushën xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë për këtë krim të shëmtuar, janë pasardhës të denjë të etërve të tyre barbarë. Edhe njëherë, i bëj thirrje besimtarëve myslimanë të dënojnë këtë akt të shëmtuar dhe i garantoj që kryengritja jonë paqësore nuk do të ndalet, por do bëjmë gjithçka që në territorin në afërsi të përjashtojmë çdo kacafytje me kundërshtarin, vetëm e vetëm që ata mos t’ju prishin namazin. Sot i kanë nxjerrë me gaz nga xhamia.

Ndërkohë, sikur të ishin terroristë me uniformë, ata dolën dhe mbushën komisariate me qytetarë që nuk kishin lidhje me protestën.

Protestën e radhës do ju njoftojmë shumë shpejt. Do të jetë kombëtare. Edhe njëherë, urime guximtarëve që sot i mposhtët”, tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB