“Nderim atyre që çliruan Shqipërinë 46 vite më parë”/ Protesta e PD, Berisha: Kush do e mendonte që pushtetet do ishin në dorën e një tradhtari

20/02/2026 19:24

Në protestën e katërt kombëtare të PD-së përpara Kryeministrisë, Sali Berisha kujtoi rënien e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.

Në fjalën e tij në podium, Berisha u shpreh se pas 35 vitesh, Edi Rama ka marrë të gjitha pushtetet në dorë dhe bëri thirrje për largimin e tij nga qeveria.

“Ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare. 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i Satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë. Në një betejë që shënoi kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë. Në një betejë paqësore, ku përmbysën kultin e Satanit, kultin e Enver Hoxhës, kultin e Hitlerit shqiptar të pasluftës. Përmbysën regjimin, i cili ekzekutoi, mjeroi më shumë shqiptarë se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në të gjithë historinë e tyre. Nderim përjetë atyre guximtarëve që iu sulën shtatores së diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste 46-vjeçare.

35 vite më parë, të gjithë ata që ishin në shesh, kurrë nuk do ta mendonin se 35 vite më vonë do të ishin përballë një regjimi, sigurisht jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë e shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtetet e vendit do të ishin në duar të një krimineli të pashembullt historik pas Enver Hoxhës. Pushtetet do të ishin në duar të një tradhtari që do të nxinte historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj vendit.

35 vite më parë, ata qindra mijëra burra dhe gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperët, mitralozat për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk mund të besonin kurrë se 35 vite më vonë përsëri do të rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën. E vërteta është se ne nderojmë sot këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh me zotimin tonë para shqiptarëve, se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara”, tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB