Live/ PD protestë para Kryeministrisë dhe Kuvendit, protestuesit qëllojnë me molotovë dhe fishekzjarrë. Policia përdor gaz lotsjellës

20/02/2026 19:50

Partia Demokratike po mban protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë.

Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për këtë protestë.

Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

Vetëm pak minuta para fillimit të protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha, shkoi në selinë “Blu”, ku nga do të niset për të shkuar përpara Kryeministrisë, aty ku do të mbajë dhe fjalimin e tij.

21:10 Vijojnë trazirat përpara selisë së PD/ Protestuesit hedhin fishekzjarrë, policia i shpërndan me gaz lotsjellës

Trazirat në protestën e PD-së vijojnë ende, kësaj radhe përpara selisë ‘Blu’. Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë drejt forcave policore, ndërsa këta të fundit iu kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.

20:55 Fotot/ Autoboti i policisë me ujë përfshihet nga flakët, çfarë nuk u pa nga protesta e PD

Opozita organizoi protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, e shoqëruar me tensione e trazira. Si gjithmonë protesta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku me të përfunduar fjalën kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha filloi hedhja e fishekzjarrëve dhe molotovëve drejt Kryeministrisë.

20:42 Tubimi i PD-së përpara Parlamentit/ Lëndohet një protestues, transportohet për në spital

Protestuesit hodhën molotovë drejt policisë, me këtë të fundit që iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Në pamjet e siguruara nga Top Channel, një prej protestuesve shfaqet i lënduar, teksa më pas transportohet me urgjencë për në spital.

20:28 Protesta e opozitës/ Lëndohet ish-kandidatja e PD në Shkodër, Senada Ahmeti

Gjatë përplasjeve mes policisë dhe protestuesve para Kuvendit u lëndua ish-kandidatja e PD në Shkodër, Senada Ahmeti.

20:02 Protesta e PD-së/ Protestuesit hedhin molotov pranë Parlamentit, policia përgjigjet me gaz lotsjellës

Pas mbërritjes përballë Kuvendit protestuesit kanë nisur hedhjen e molotovëve. Si pasojë policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka bërë thirrje për ndalimin e hedhjes së tyre.

19:50 U shpërndanë me ujë nga policia, protestuesit lënë Kryeministrinë dhe mbërrijnë te Parlamenti

Policia iu përgjigje me autobota me ujë, duke i shpërndarë dhe duke shuar zjarrin që u ndez në disa pjesë të godinës. Menjëherë pas kësaj, ata braktisën Kryeministrinë dhe mbërritën përpara Kuvendit.

19:47 Protesta e dhunshme PD-së përpara Kryeministrisë, reagon Balla: Grupi kriminal mbulohet me çadra gati për molotovët e një plaku të rrjedhur

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi fillimin e protestës së katërt kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë.

Përmes një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan: “Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe grupi kriminal që mbulohet me çadra (edhe pse nuk bie shi) gati për molotovët e një plaku të rrjedhur.”

19:32 Berisha mbaron fjalimin e tij, nis hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt Kryeministrisë

Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit filluan hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë.

Reagimi i forcave policore ishte i menjëhershëm, të cilat hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit.

19:30 “Regjimi i sotëm si diktatura 46-vjeçare”, Berisha: Rama do rrëzohet si shtatorja e diktatorit

Kryedemokrati Sali Berisha në protestën e katërt kombëtare, i bëri thirrje qytetarëve që të mos ndalojnë protestat e kryengritjet.

Duke krahasuar qeverinë e sotme me regjimin komunist, ai shprehu se Edi Rama do rrëzohet ashtu si shtatorja e diktatorin Enver Hoxha në vitin 1991.

19:24 “Nderim atyre që çliruan Shqipërinë 46 vite më parë”/ Protesta e PD, Berisha: Kush do e mendonte që pushtetet do ishin në dorën e një tradhtari

Në protestën e katërt kombëtare të PD-së përpara Kryeministrisë, Sali Berisha kujtoi rënien e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.

Në fjalën e tij në podium, Berisha u shpreh se pas 35 vitesh, Edi Rama ka marrë të gjitha pushtetet në dorë dhe bëri thirrje për largimin e tij nga qeveria.

“Ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare. 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i Satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë. Në një betejë që shënoi kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë”.

19:10 “Ndryshimi nuk fillon nga kafenetë”, pedagogu Hasimja nga protesta e PD-së: Bashkohuni me ne që të mos na vritet shpresa dhe të drejtat tona

Pedagogu Ermal Hasimja mori pjesë në protestën e PD-së para Kryeministrisë, ku iu bëri thirrje qytetarëve për tu bashkuar.

Hasimja nga podiumi shprehu se shqiptarëve i duhet fryma që para 3 dekadash rrëzoi diktaturën e Enver Hoxhës duke ju bërë thirrje qytetarëve për bashkim për të mbrojtur të drejtat e tyre.

18:53 Protesta e PD para Kryeministrisë, aktorja Rajmonda Bulku kujton 20 shkurtin e 1991: Morëm në dorë guximin sepse donim të ishim të lirë

“Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkëngjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste në krye. Të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse donim lirinë tonë. Dua të kujtoj atë frymë dhe të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, sepse duhet të kenë mundësinë për të jetuar këtu. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku.

17:20 Opozita ka thirrur protestë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë/ Policia e Tiranës: Nuk marrim përsipër zhvillimin e tubimit, mund të ketë veprime të dhunshme

Policia e Tiranës njofton se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për protestën që ka njoftuar sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

12:12 Partia Demokratike bëhet gati për tubimin, ‘blindohet’ godina e Kryeministrisë

Edhe pse Policia e Tiranës njoftoi se nuk e ka autorizuar për zhvillimin e tubimit, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për protestën që pritet të nisë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Godina e Kryeministrisë ka nisur ndërkohë “blindimin”, në mënyrë që të mos cenohet nga protestuesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB