Live/ PD 4 orë protestë para Kryeministrisë e Kuvendit, hidhen molotovë e gaz lotsjellës, policia shoqëron 25 persona. Lëndohen deputeti demokrat, Boçi dhe një protestues

20/02/2026 19:50

Në protestën e katërt kombëtare të Partisë Demokratike, nuk munguan tensionet, trazirat e përplasjes mes protestuesve dhe forcave policore.

Protesta e opozitës zgjati më shumë se 4 orë, ajo nisi si gjithmonë Para Kryeministrisë ku kryedemokrati, Sali Berisha mbajti fjalimin para mbështetësve. Sapo mbaroi fjala e kreut të opozitës filloi hedhja e molotovëvë dhe fishekzjarrëve drejt kryeministrisë, të cilave policia u përgjigj me ujë nga autobotët policor.

Pas pak minutash protestuesit të udhëhequr nga Sali Berisha nisën marshimin drejt Kuvendit i cili ishte gjithashtu i rrethuar nga forcat policore. Protestuesit filluan sërish të hidhnin molotovë drejt efektivëve, ku mori flakë edhe autoboti që hidhte ujë për të shpërndarë protestuesit.

Sipas burimeve policia shoqëroi rreth 25 persona, ndërkohë gjatë trazirave u lëndua dhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi si dhe një protestues, ky i fundit u dërgua në spital.

22:29 Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, reagon Rama: Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë…
Partia Demokratike ka mbajtur protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit. Për këtë protestë, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama.

Me anë të një postimi në platformën “X”, ai kishte postuar një foto të xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, teksa ishte e shoqëruar me fishekzjarrët që u përdorën në protestë. Foton ai e shoqëron me mbishkrimin: “Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë…”.

22:00 Protesta e PD/ Flamur Noka përplaset me efektivët civilë të policisë
Edhe pas shpërndarjes së protestuesve tensionet nuk janë shuar. Në videot e siguruara nga Top Channel, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka shihet duke u përplasur me disa efektive civilë të policisë, të cilëve iu thotë: Për çfarë i prekni qytetarët ju?!

21:56 “Rama sulmoi selinë e PD”, Berisha flet pas protestës: Mbushën xhaminë me gaz, mbushën komisariatet me qytetarë që s’kishin lidhje
Pas protestës së katërt kombëtare të opozitës, Sali Berisha, mbajti fjalën e tij përpara selisë së PD-së. Ai tha se policia ka hedhur gaz lotsjellës drejt selisë së PD dhe gjithashtu drejt xhamisë, duke i prishur faljen besimtarëve myslimanë. Ai gjithashtu shtoi se do të njoftojë një ditë tjetër sa i përket datës së protestës së radhës.

21:46 Trazirat në protestën e opozitës, nënkryetari i PD Luçiano Boçi lëndohet dhe shkon në spital
Opozita ka mbajtur këtë të premte protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit.
Gjatë trazirave, ka mbetur i lënduar edhe deputeti i PD, Luçiano Boçi, i cili ka shkuar drejt spitalit.

21:46 Protesta e katërt kombëtare e PD-së, policia shoqëron rreth 25 persona
Protesta e katërt kombëtare e opozitës u shoqërua edhe me arrestime. Burimet bëjnë me dije se policia ka shoqëruar rreth 25 persona.

21:32 “Është hedhur gaz lotsjellës në zyrat e selisë”/ PD reagon pas trazirave në protestë: Policia ndërpreu edhe faljen e besimtarëve myslimanë

Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas protestës së katërt kombëtare, duke akuzuar forcat e Policisë për përdorimin e gazit lotsjellës në oborrin dhe zyrat e selisë së saj.
Sipas PD-së, forca të policisë kanë sulmuar selinë e opozitës pas një proteste paqësore, duke shkaktuar kaos dhe disa të plagosur, ndërsa gazi lotsjellës ka ndërprerë edhe faljen e besimtarëve myslimanë.

21:10 Vijojnë trazirat përpara selisë së PD/ Protestuesit hedhin fishekzjarrë, policia i shpërndan me gaz lotsjellës

Trazirat në protestën e PD-së vijojnë ende, kësaj radhe përpara selisë ‘Blu’. Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë drejt forcave policore, ndërsa këta të fundit iu kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.

20:55 Fotot/ Autoboti i policisë me ujë përfshihet nga flakët, çfarë nuk u pa nga protesta e PD

Opozita organizoi protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, e shoqëruar me tensione e trazira. Si gjithmonë protesta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku me të përfunduar fjalën kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha filloi hedhja e fishekzjarrëve dhe molotovëve drejt Kryeministrisë.

20:42 Tubimi i PD-së përpara Parlamentit/ Lëndohet një protestues, transportohet për në spital

Protestuesit hodhën molotovë drejt policisë, me këtë të fundit që iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Në pamjet e siguruara nga Top Channel, një prej protestuesve shfaqet i lënduar, teksa më pas transportohet me urgjencë për në spital.

20:28 Protesta e opozitës/ Lëndohet ish-kandidatja e PD në Shkodër, Senada Ahmeti

Gjatë përplasjeve mes policisë dhe protestuesve para Kuvendit u lëndua ish-kandidatja e PD në Shkodër, Senada Ahmeti.

20:02 Protesta e PD-së/ Protestuesit hedhin molotov pranë Parlamentit, policia përgjigjet me gaz lotsjellës

Pas mbërritjes përballë Kuvendit protestuesit kanë nisur hedhjen e molotovëve. Si pasojë policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka bërë thirrje për ndalimin e hedhjes së tyre.

19:50 U shpërndanë me ujë nga policia, protestuesit lënë Kryeministrinë dhe mbërrijnë te Parlamenti

Policia iu përgjigje me autobota me ujë, duke i shpërndarë dhe duke shuar zjarrin që u ndez në disa pjesë të godinës. Menjëherë pas kësaj, ata braktisën Kryeministrinë dhe mbërritën përpara Kuvendit.

19:47 Protesta e dhunshme PD-së përpara Kryeministrisë, reagon Balla: Grupi kriminal mbulohet me çadra gati për molotovët e një plaku të rrjedhur

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi fillimin e protestës së katërt kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë.

Përmes një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan: “Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe grupi kriminal që mbulohet me çadra (edhe pse nuk bie shi) gati për molotovët e një plaku të rrjedhur.”

19:32 Berisha mbaron fjalimin e tij, nis hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt Kryeministrisë

Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit filluan hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë.

Reagimi i forcave policore ishte i menjëhershëm, të cilat hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit.

19:30 “Regjimi i sotëm si diktatura 46-vjeçare”, Berisha: Rama do rrëzohet si shtatorja e diktatorit

Kryedemokrati Sali Berisha në protestën e katërt kombëtare, i bëri thirrje qytetarëve që të mos ndalojnë protestat e kryengritjet.

Duke krahasuar qeverinë e sotme me regjimin komunist, ai shprehu se Edi Rama do rrëzohet ashtu si shtatorja e diktatorin Enver Hoxha në vitin 1991.

19:24 “Nderim atyre që çliruan Shqipërinë 46 vite më parë”/ Protesta e PD, Berisha: Kush do e mendonte që pushtetet do ishin në dorën e një tradhtari

Në protestën e katërt kombëtare të PD-së përpara Kryeministrisë, Sali Berisha kujtoi rënien e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.

Në fjalën e tij në podium, Berisha u shpreh se pas 35 vitesh, Edi Rama ka marrë të gjitha pushtetet në dorë dhe bëri thirrje për largimin e tij nga qeveria.

“Ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare. 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i Satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë. Në një betejë që shënoi kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë”.

19:10 “Ndryshimi nuk fillon nga kafenetë”, pedagogu Hasimja nga protesta e PD-së: Bashkohuni me ne që të mos na vritet shpresa dhe të drejtat tona

Pedagogu Ermal Hasimja mori pjesë në protestën e PD-së para Kryeministrisë, ku iu bëri thirrje qytetarëve për tu bashkuar.

Hasimja nga podiumi shprehu se shqiptarëve i duhet fryma që para 3 dekadash rrëzoi diktaturën e Enver Hoxhës duke ju bërë thirrje qytetarëve për bashkim për të mbrojtur të drejtat e tyre.

18:53 Protesta e PD para Kryeministrisë, aktorja Rajmonda Bulku kujton 20 shkurtin e 1991: Morëm në dorë guximin sepse donim të ishim të lirë

“Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkëngjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste në krye. Të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse donim lirinë tonë. Dua të kujtoj atë frymë dhe të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, sepse duhet të kenë mundësinë për të jetuar këtu. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku.

17:20 Opozita ka thirrur protestë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë/ Policia e Tiranës: Nuk marrim përsipër zhvillimin e tubimit, mund të ketë veprime të dhunshme

Policia e Tiranës njofton se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për protestën që ka njoftuar sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

12:12 Partia Demokratike bëhet gati për tubimin, ‘blindohet’ godina e Kryeministrisë

Edhe pse Policia e Tiranës njoftoi se nuk e ka autorizuar për zhvillimin e tubimit, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për protestën që pritet të nisë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Godina e Kryeministrisë ka nisur ndërkohë “blindimin”, në mënyrë që të mos cenohet nga protestuesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB