Plagosja me armë zjarri e 34-vjeçarit në ‘Rrugën e Kavajës’, ja kush është personi që qëlloi Akil Kokaxhiun
Policia ka dhënë një njoftim zyrtar për dy ngjarje që ndodhën brenda 10 minutash në kryeqytet, me pasojë në jetë njerëzish.
Sipas bluve, 31-vjeçari i vrarë me thikë pas një sherri në rrugën “Kongresi i Lushnjes” ka ndërruar jetë në spital.
Ndërkohë edhe plagosja që ka ndodhur në një zonë tjetër të Tiranës, po hetohet, ndërsa i lënduari 34-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi E. P, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi A. K., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Policia i ka identifikuar autorët e këtyre dy ngjarjeve, të dhënat e të cilëve nuk jepen, për shkak se hetimi vijon. Punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Ndërkaq, grupet hetimore vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të rasteve dhe dokumentimin e plotë ligjor të tyre si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel