“BE e vlerëson punën e SPAK”/ Intervista e ambasadorit Gonzato: Shqipërisë i duhet anëtarësimi, lufta kundër korrupsionit është thelbësore

20/02/2026 11:45

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato e vlerësoi lart punën e SPAK-ut, një ndër institucionet e drejtësisë ku Bashkimi Europian ka investuar më së shumti në Shqipëri.

Në një intervistë dhënë DW, ai nënvizoi se dëshira e bllokut është që procesi i anëtarësimit të jetë vërtet një proces-ndërtimi i shtetit, një proces që krijon institucione të qëndrueshme, të forta dhe të pavarura.

“Kjo është ajo që i duhet Shqipërisë“, ishte komenti i tij. Në këtë kuadër, ai e cilësoi punën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si thelbësore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për goditjen e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta politike. Sipas tij, SPAK ka fituar vlerësim nga vendet anëtare të BE-së për bashkëpunimin me agjencitë europiane dhe për hetimet ndaj figurave të rëndësishme, pa dallim politik.

“Unë mendoj se SPAK-u po bën një punë shumë, shumë të rëndësishme. Nëse flisni me shtetet anëtare, do të shihni se ato e vlerësojnë jashtëzakonisht punën e bërë nga SPAK-u, për shembull, në luftën kundër krimit të organizuar, në shpartallimin e bandave kriminale që veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në BE dhe, veçanërisht, në disa shtete anëtare të Bashkimit Europian. …Së dyti, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga elementët kyç për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Kjo është në thelb të procesit themelor që thashë më parë. Pra, ne e shohim SPAK-un si një institucion që luan rol themelor në këtë drejtim, në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër pandëshkueshmërisë në nivel politik, dhe nuk shohim asnjë pengesë për thirrjen dhe hetimin e politikanëve të rangut të lartë“- u shpreh Gonzato.

Megjithatë, Gonzato shprehu shqetësim për sulmet e vazhdueshme të politikanëve ndaj sistemit të drejtësisë dhe SPAK-ut, duke theksuar se ndërhyrjet dhe presioni politik janë të papranueshme dhe nuk duhet të vazhdojnë.

“Nuk do të spekuloj për këtë. Ajo që është e sigurt është se ne kemi shprehur vazhdimisht në raportet tona vjetore shqetësimin tonë në lidhje me sulmet kundër gjyqësorit. Ne kemi thënë se, në të vërtetë, gjyqësori dhe sistemi gjyqësor janë bërë më të qëndrueshëm ndaj këtyre sulmeve, edhe sepse është një sistem i pavarur. Por, megjithatë, mendojmë se këto sulme nga politikanët dhe ndërhyrja politike janë diçka që e shohim me shqetësim. Është diçka që nuk duhet të vazhdojë“-tha Gonzato.

Gonzato nënvizoi se një sistem drejtësie i pavarur është themel i procesit të anëtarësimit në BE dhe çdo përpjekje për ta minuar atë dëmton jo vetëm institucionet, por edhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Mesazhi i tij për klasën politike ishte i qartë: lufta kundër korrupsionit duhet të mbështetet me vepra konkrete dhe me respekt të plotë për pavarësinë e drejtësisë, ndërsa debatet politike duhet të jenë konstruktive dhe në funksion të interesit publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB