Grupi i PD ankohet te McAllister: Shqipëria regres në luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet u deformuan

18/02/2026 15:48

Deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Albana Vokshi u takuan sot me Misionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian të kryesuar nga Kryetari i Komisionit David McAllister, shoqëruar nga 8 eurodeputetë të Parlamentit Europian.

Në deklaratë e PD thuhet: “Gjatë takimit përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të PD kanë shprehur vlerësimin e tyre për raportin e Parlamentit Europian mbi zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit, ku u konstatua mungesa e barazisë mes palëve në zgjedhje dhe ndërhyrja e krimit të organizuar në to. Ky raport është një këmbanë alarmi për zgjedhjet në Shqipëri dhe është e domosdoshme jo thjeshtë që Parlamenti Europian ta ndjek këtë çështje, por edhe të konstatojë se pa një Qeveri Teknike që të garantojë mos ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje dhe të pengojë përfshirjen e krimit të organizuar në to, Shqipëria nuk mund të garantojë standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Deformimi i zgjedhjeve sjell pasoja të rënda në funksionimin demokratik të institucioneve në vend” – u shprehën përfaqësuesit e PD në takim”.

Deputetët e opozitës nënvizuan me shqetësim regresin që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një tjetër çështje e trajtuar nga përfaqësuesit e opozitës në takim është bashkëpunimi i qeverisë me krimin e organizuar, si dhe mungesa e luftës reale ndaj pastrimit të parave të krimit në Shqipëri. Edhe pse Prokuroria e Posaçme ka goditur disa nga organizatat kriminale në vend, asnjë nga drejtuesit e këtyre organizatave nuk është arrestuar dhe vijon i qetë aktivitetin  e tij kriminal, nën mbrojtjen e Qeverisë dhe Policisë së Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB