Luftoi për të drejtat e afro-amerikanëve krah Martin Luther Kingut, ndërron jetë një nga figurat më të shquara të aktivizmit në SHBA

17/02/2026 12:29

Jesse Jackson, një nga figurat më të shquara të aktivizmit për të drejtat civile në SHBA, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga familja e tij, e cila tha në një deklaratë për mediat se ai ishte një lider i shërbimit të komunitetit, jo vetëm të familjes, por edhe të të shtypurve, atyre pa zë në të gjithë botën.

Jackson lindi më 8 tetor 1941 në Greenville, Karolina e Jugut, në një periudhë të rëndësishme të luftës për të drejtat civile, dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm të kësaj lëvizjeje, duke qenë pranë Martin Luther King-ut në organizimin e demonstratave.

Pas vrasjes së King-ut në vitin 1968, ai mori një pjesë të trashëgimisë politike dhe morale të tij, duke u bërë një nga themeluesit e Rainbow Push Coalition, një organizatë që kishte për qëllim bashkimin e grupeve të margjinalizuara dhe të varfër, për të krijuar një koalicion multirasial që mund të transformonte politikën dhe shoqërinë amerikane.

Jackson, edhe pse nuk arriti të zgjidhej në pozita të larta elektorale në nivel kombëtar, mbeti një figurë influente e krahut progresiv të Partisë Demokratike, duke luftuar për çështje si drejtësia sociale, të drejtat e votës dhe përfshirja ekonomike. Në vitin 2000, ai u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë nga presidenti Bill Clinton.

Në vitet e fundit, Jackson kishte kufizuar aktivitetet e tij publike për shkak të problemeve shëndetësore, por ai vazhdoi të merrte pjesë në protesta dhe aktivitete politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB