Opinion/ Preç Zogaj: Rruga e mundimshme nga aktakuza te çekiçi i fundmë në gjykatë
Nga Mentor Nazarko
Ndërsa Kosova po bëhet 18 vjeç- mosha e kalimit të individit në pjekuri, në Prishtinë po bëhet gati një protestë kombëtare e në Hagë mbrojtja e të arrestuarve të UÇK-së po prezanton argumentet e fundit, m’u kujtua një sprovë këshillimore e 2011, që përfundoi në kosh. Asokohe, i armatosur me teoritë që aplikojnë konceptet e adoleshencës së individëve tek jeta e shteteve, e gëlltita dështimin me dinjitet. Mirëpo sot, 15 vjet më pas, kur krerët e UÇK-së, drejtuesit e shtetit të ri të Kosovës ( që asokohe injoruan këshillën), po kërkohet të dënohen me 45 vjet seicili, hidhërimi është më e vogla ndjesi. Dhe kësisoj të lind dëshira për të dhënë këshilla të tjera.
Çfarë ndodhi? Për këdo që nuk e mban mend, origjina e kësaj pretence është një pretendim i Prokurores për krimet e luftës në Ish Jugosllavi, Karla Del Ponte për të ashtuquajturin trafik organesh në Shtëpinë e Verdhë në Mat, kryer nga UÇK-ja mbi robër serbë. Mbi këtë pretendim, shërbimet serbe, e ruse, nxitën një Raport të Këshillit të Europës, shkruar nga një deputet- ish prokuror zviceran, Dik Marti. Këshilli i Europës, mbushur me deputetë rusë apo të tjerë që kishin motiv për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit ku zakonisht perëndimorë shkojnë fare pak, ftohej të vendoste për fatin e raportit. Për atë që nuk e di, Këshilli i Europës nuk miraton rezoluta detyruese. Mirëpo në një kontekst interesant, Perëndimi, po krijonte bindjen se mbase pretendime të tilla monstruoze ( që e konsideronin UCK-në- si sot dhe Prokuroria e Hagës- ndërmarrje kriminale që kishte bërë trafiqe droge; krime kundër njerëzimit; trafik organesh, mbështetur nga Shqipëria, NATO, etj) duheshin provuar gjyqësisht. Mbase njëlloj detante në marrëdhëniet me Rusinë e nxiste një inisiativë të tillë, apo dhe nevoja për të krijuar një gjykatë sui generis, që e aplikuar tek Kosova, një shtet aleat apo krijesë e perëndimit, mund të përdorej si precedent ndaj rebelëve rusë të Donetskut, që kishin bërë shumë krime, madje dhe rrëzuar avionë civilësh. Mbase Perëndimi që kishte nisur të mendonte se i kishte dhënë një dhuratë Kosovës me pavarësinë, mendonte se akuza të tilla të tmerrshme, duheshin adresuar, që të shfajësohej kësisoj në shkallë globale. Gjykata e themeluar për ish Jugosllavinë – po mbaronte mandatin. Kosova sapo kishte legalizuar pavarësinë në Hagë dhe në OKB, dhe Gjykata për krimet e supozuara të UÇK-së, ishte asi nën mëngë i Serbisë për ta rrënuar imazhin e saj.
Si duhej vepruar?
Asokohe në 2011, isha këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli. I propozova një inisiativë që ai e pranoi me shumë largpamësi, të cilës i bashkuam argumentet e tij, që ai i bëri publike. Një mjek autoritar i spitalit ushtarak të Beogradit, kishte thënë publikisht, se në kushte si ato të maleve të Shqipërisë ku gjendej Shtëpia e verdhë, nuk mund të bëhej heqje organesh, transport i tyre nëpërmjet aeroportit të Rinasit, e për pasojë kjo fabulë kriminale, mjaft e verdhë, nuk qëndronte. Zoti Pacolli, ftoi në publik kryeministrin Thaçi, që t’i bashkohej atij në një padi për Dik Martin, në territorin e Zvicrës duke e akuzuar për shpifje. Propozimi im, që Pacolli ja drejtoi në formë letre të hapur ishte i artikuluar në tre pjesë, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Përgjigja për këtë letër publike, që Pacolli e mbrojti dhe në media, ishte refuzuese, ndonëse me edukatë dhe dinjitet nga Shqipëria dhe injoruese nga Kosova. Berisha tha se Shqipëria dhe kombi shqiptar nuk kishin çfarë të fshihnin, ndaj do votonin pro, ashtu si dhe u bë. Rezoluta kaloi. Institucionet e Kosovës, për hir të së vërtetës, Vetëvendosja e Kurtit refuzoi, si provë që dhe mund të tentohej të negociohej- e themeluan monstrumin, që i ngjan një minishteti brenda Kosovës, por me seli në Hagë. Ja ku jemi sot 15 vjet më pas. Mbase zoti Thaçi ka menduar se veprat e mira në favor të Kosovës dhe Perëndimit, apo se përmbyllja e një marrëveshje me Serbinë, do ta bajpasonte funksionalitetin e kësaj gjykate, duke zhvendosur çështjet në hetim, në juridiksionin e gjykatave të Serbisë dhe Kosovës, si ishte një propozim i vitit 2018.
Sot është një ditë e trishtë për Kosovën, ndërsa ajo bën 18 vjeç, moshë e pjekurisë ligjore për individët. Shumë përparime janë arritur, fryt i dëshirës së popullit të Kosovës për mëvetësi, i energjisë së elitës dhe rinisë, mirpo hija e një pretence të ligë si ajo e prokurorëve, që nuk fajëson vetëm individët drejtues, gjithë elitën drejtuese të Kosovës në kaq vite, por Kosovën, kombin shqiptar dhe perëndimin, qëndron mbi kokat tona. “Kur një fëmijë bëhet 18 vjeç, ne i themi ikë nga shtëpia dhe bëhu i pavarur”, ka thënë ambasadori Kosnet dikur në 2021, duke ju referuar kërkesave të elitës së Kosovës që SHBA-të marrin përgjegjësi mbi Kosovën, pa kërkuar gjithmonë ndihmë. Rasti në fjalë, ai i themelimit të Dhomave të Specializuara, është rasti ku duhej vërtet pavarësi mendimi, gjykimi, e veprimi. Duke negociuar pafund me miqtë, pa ju kundërvënë atyre në publike e duke mos pranuar blanko, inisiativa të tilla. Sepse sot, është shumë vështirë, në mos e pamundur të zhbëhen efektet e tyre. Protestuesit e sotëm që vijnë nga krejt viset shqiptare mund të ndikojnë gjyqtarët që priten të marrin vendime, apo dhe kancelaritë që mbase i influencojnë ata. Mirëpo 15 vjet më parë, gjithçka kushtonte më lirë… Opinionistët, apo këshilltarët që atëherë ishin dhe mbeten këshilltarë zulmëmëdhenj, nuk mund të bëjnë asgjë me sulmet e tyre ndaj prokurorëve. Koha ka vlerën e vet, për pjekurinë. Edhe të shteteve, si të individëve.
Top Channel