Hillary Clinton akuzon Trump për fshehje të dhënash, ish-sekretarja e shtetit kërkon që të publikohen dosjet e plota të skandalit

17/02/2026 12:37

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, akuzoi drejtpërdrejt administratën Donald Trump për fshehje të dhënash dhe mungesë transparence në trajtimin e dosjeve që lidhen me financierin e diskretituar, Jeffrey Epstein.

Në një intervistë për BBC nga Berlini, ku mori pjesë në Forumin e Përvitshëm Botëror, Clinton kërkoi publikimin e plotë të të gjithë dokumenteve. “Nxirrni dosjet. Po i zvarrisni,” deklaroi ajo, duke nënkuptuar se procesi i publikimit po pengohet në mënyrë të qëllimshme.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke mbrojtur veprimet e saj dhe theksoi se publikimi i dokumenteve përbën një hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe për viktimat, madje “më shumë nga sa kanë bërë ndonjëherë demokratët”.

E pyetur sakaq nëse Princi Andreë duhet të paraqitet përpara një komisioni të Kongresit amerikan, Clinton u shpreh se “beson se të gjithë atyre që u kërkohet, duhet të dalin e të dëshmojnë”.

Përfshirja e një emri në dokumente nuk përbën automatikisht provë shkeljeje, dhe Princi ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë ndaj tij.

Por, ndërsa pjesëtari i familjes mbretërore britanike është kthyer në një figurë kyçe të skandalit, edhe vetë Bill e Hillary Clinton do të dalin përpara një komiteti të Kongresit.

Ish-presidenti amerikan dëshmon më 27 shkurt, ndërsa Hillary pritet të flasë një ditë përpara tij. Kjo do të shënojë herën e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një paneli të Kongresit që prej vitit 1983, kur një e tillë ndodhi me Gerald Ford.

Bill Clinton, emri i të cilit figuron në disa nga dokumentet e lidhura me Epstein, e pranon se e ka njohur financierin, por ka theksuar se kontaktet me të janë ndërprerë rreth dy dekada më parë.

As Bill dhe as Hillary Clinton nuk janë akuzuar për shkelje nga viktimat e Epstein, dhe të dy kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni të abuzimeve seksuale të tij në kohën kur ato ndodhën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB