Përvjetori i dytë i vdekjes së rivalit të përbetuar të Putinit, nëna e Navalnyt: Im bir u vra, gjithmonë e kam ditur

16/02/2026 17:23

Nëna e opozitarit rus Alexei Navalny deklaroi se gjetjet e fundit për helmim konfirmojnë bindjen e saj se djali i saj është vrarë dhe nuk ka vdekur nga shkaqe natyrore, siç kanë pretenduar autoritetet ruse.

Deklarata e saj vjen pasi United Kingdom dhe disa aleatë evropianë publikuan një qëndrim të përbashkët ku thuhet se Navalny u vra me një helm të zhvilluar nga një toksinë e bretkosës shigjetë, duke shtuar se “vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për ta përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse”.

“Kjo konfirmon atë që e dinim që nga fillimi. Ne e dinim se djali ynë nuk vdiq thjesht në burg, ai u vra,” tha Lyudmila Navalnaya, gjatë një vizite në varrin e të birit në Moskë, në përvjetorin e dytë të vdekjes së tij.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se pretendimet janë “të anshme dhe të pabaza” dhe se Moska i refuzon ato me vendosmëri.

Edhe e veja e Navalny-t, Yulia Navalnaya, përkujtoi dyvjetorin e vdekjes së tij, duke shkruar në rrjetet sociale se “kemi arritur të vërtetën dhe do të arrijmë edhe drejtësinë një ditë”. Ajo ka deklaruar më herët se analiza e mostrave biologjike, e kryer në laboratorë në dy vende, tregoi se bashkëshorti i saj ishte vrarë.

Dhjetëra qytetarë dhe diplomatë të huaj vizituan varrezat Borisovskoye në Moskë për të vendosur lule mbi varrin e tij. Në një nga mesazhet e lëna mbi varr shkruhej: “Aleksej, të kujtojmë çdo ditë”.

Navalny ishte 47 vjeç kur vdiq në një koloni penale siberiane, ku po vuante një dënim prej 19 vitesh burg për “ekstremizëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB