Mes borës dhe panoramës mahnitëse të Sharrit, Brezovica shndërrohet në destinacionin kryesor dimëror në rajon

16/02/2026 09:53

Mes pishave të mbuluara nga bora dhe vijës së bardhë që pret malin, teleferiku zbret qetësisht mbi peizazhin dimëror, ndërsa skiatorët rrëshqasin lehtë mbi borën e freskët.

Nga lart, panorama duket si një tablo dimri, e bukur dhe e qetë.

Në këtë peizazh magjik, Brezovica po përjeton një nga fundjavat më të frekuentuara të sezonit dimëror.

Qindra turistë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit kanë zgjedhur këtë qendër për aventurë dhe relaks mes natyrës së Sharrit.

Pistat janë të mbushura me skiatorë të të gjitha moshave.

Fëmijët rrëshqasin me sajë mes të qeshurave, të rinjtë provojnë adrenalinën me motorë bore, ndërsa teleferiku ofron pamje panoramike që të lënë pa frymë.

Të apasionuarit pas sporteve dimërore e konsiderojnë Brezovicën një nga destinacionet më të preferuara për skijim, falë terrenit të përshtatshëm dhe kushteve të favorshme klimatike.

Përveç vizitorëve individualë, zona po mirëpret edhe grupe nxënësish, që po e përjetojnë për herë të parë emocionin e sporteve dimërore.

Atmosferës dimërore i shtohen edhe të rinjtë që kanë udhëtuar nga Shqipëria për të kaluar fundjavën në borë.

Përtej sporteve, vizitorët po shijojnë edhe ofertën gastronomike dhe shërbimet hoteliere, duke gjallëruar ekonominë lokale gjatë sezonit dimëror.

Nga lart, gjurmët e skiatorëve mes pishave të bardha krijojnë një tablo që flet vetë.

Si një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit dimëror në Kosovë, Brezovica po forcon pozicionin e saj si një destinacion rajonal, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe të ardhurat nga turizmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB