Sërish skandal korrupsioni në Ukrainë, u përvetësuan 100 milionë dollarë, ish-ministri i Energjetikës arrestohet teksa tentonte të ikte jashtë shtetit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një video-mesazh iu përgjigj deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e opozitës më 10 shkurt.
Rama tha se “mercenarët u paguan për të hedhur molotovë”, ndërsa Berisha tha se “më 20 shkurt, misionarët do të shpëtojnë vendin nga narko-regjimi”.
“Sot, në monologun e tij të mashtrimit, Edi Rama lëshoi gënjeshtrën e radhës. Ai u tha qytetarëve se paska funksione të padelegueshme. I tmerruar nga ultimatumi i Brukselit, nga anulimi i të gjitha takimeve që kishte në Mynih, ai përsëri, njëlloj si i mbyturi, kapet me fijen e barit. Po bën përpjekjen e fundit për të krijuar një mburojë ligjore ndaj vetes së tij. Cilido që dëgjoi Edi Ramën të flasë për funksione të padelegueshme, për të kuptuar se ai gënjeu, jo njëherë, por gënjeu qindra herë vetëm për funksionin e kryeministrit.
Çka dua të them me këtë? Në arkivin e Këshillit të Ministrave, janë jo me dhjetëra, por me qindra vendime të firmosura me autorizimin e tij nga zëvendës-ministrat përkatës, sipas kohës. Por, përveç kësaj, ky është një përcaktim ligjor, i cili e lejon kryeministrin të autorizojë zëvendësin e tij për të firmosur. Së dyti, vetë Kushtetuta ka parashikuar zëvendësimin, delegimin. Në rast se presidenti i Republikës fluturon, shkon jashtë vendit, zëvendësi i tij është kryetari i parlamentit, me Kushtetutë. Në rast se ministri nuk është, me autorizim të tij zëvendësohet nga zëvendësministri, i cili firmos për ministrin. Pra, çfarë do të shohim ne nesër?
Do të shohim një akt që s’e kemi parë kurrë ndonjëherë dhe nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë. Deputeti Edi Rama paraqet në parlament amendamentin për të mbrojtur nga pezullimi, nga gjykatës apo kur e kapin në krim kryeministrin, Edi Rama. Kërkon pra, të krijojë një mburojë ligjore. Me këtë rast, i tmerruar dhe nga protesta, ai përdori fjalët fyese, poshtëruese për njerëzit e idealeve më të larta, për misionarët e vërtetë. Sipas tij, ata janë rrugeçër, janë mercenarë, janë njerëz të paguar. Unë i them Edi Ramës se, ata janë misionarët e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe se, 20 shkurti është dita në të cilën idealet më fisnikëve të shqiptarëve, misionarët e këtij vendi, do të mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve, për të shpëtuar Shqipërinë nga narko-diktatori, Edi Rama”-shprehet Berisha.
Top Channel