Planifikuan sulme terroriste të frymëzuar nga ISIS gjatë një marshimi kundër antisemitizmit, burgim të përjetshëm për dy shtetasit në Mbretërinë e Bashkuar

13/02/2026 17:34

Një 38-vjeçar dhe një 52-vjeçar janë dënuar me burgim të përjetshëm pasi planifikuan një sulm terrorist kundër komunitetit hebre në Manchester të frymëzuar nga ISIS, në atë që policia e quajti një nga komplotet më të rrezikshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Walid Saadaoui, 38 vjeç, dhe Amar Hussein, 52 vjeç, u shpallën fajtorë për përgatitje të akteve terroriste, ku sipas gjykatës, dyshja planifikonte të kryente një sulm me armë automatike gjatë një marshimi kundër antisemitizmit në verën e vitit 2024 dhe më pas të vazhdonte sulmet në zona të tjera në veri të Manchesterit. Prokurorët deklaruan se ata synonin të qëllonin mbi turmën me pushkë automatike AK-47, gjë që mund të kishte shkaktuar shumë viktima, përfshirë edhe fëmijë.

Sipas ‘BBC’, plani i tyre u zbulua falë një bashkëpunëtori të fshehtë, i cili fitoi besimin e Saadaoui dhe u shtir si bashkëpunëtor në sigurimin e armëve. Në maj 2024, policia ndërhyri me një operacion të madh dhe arrestoi Saadaoui në një parking hoteli në Bolton, ndërsa po shkonte të merrte armë që në fakt ishin çaktivizuar.

Hetimet zbuluan se Saadaoui kishte përdorur disa llogari të rreme në Facebook për të përhapur pikëpamje ekstremiste dhe për të mbledhur informacione rreth aktiviteteve të komunitetit hebre. Ai kishte bërë edhe përgatitje personale, përfshirë hartimin e një testamenti, pasi planifikonte të “vdiste si martir” gjatë sulmit.

Dyshja kishte udhëtuar edhe në Dover për të parë si mund të kontrabandonin armë në vend, si dhe kishte kryer vëzhgime pranë shkollave, sinagogave dhe bizneseve hebraike në veri të qytetit.

Ndërkohë, vëllai i Walid Saadaoui, Bilel Saadaoui, 36 vjeç, u dënua me gjashtë vjet burg për moskallëzim të informacionit mbi aktet terroriste, edhe pse nuk mori pjesë në plan, ai ishte në dijeni të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB