Kohë më parë, Kryeministri Mickoski ftoi në tryezë liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut. Kjo ftesë u shoqërua me tensione brenda koalicionit VLEN se kush do ta përfaqësonte atë. Ky “nder dhe privilegj” për t’u ulur përballë Mickoskit iu besua Bilall Kasamit, i cili, i entuziazmuar nga ky moment historik për karrierën e tij politike, nuk deshi t’i linte asgjë rastësisë. Në takim arriti me BMW-në e dajës Rakip, plot pompozitet dhe me hije të rëndë, siç i takon vetëm “të parit mes të barabartëve”. U ul me Aliun dhe Apasievin, duke mbajtur qëndrim stoik prej lideri të vërtetë. Buza gaz për këtë “arritje”.
Por po i njëjti Bilall Kasami e pa “të papërshtatshme” ftesën për takim me Presidentin e Shqipërisë, Sh.T. Z. Begaj, dhe partitë tjera parlamentare shqiptare. Ajo që u përpoq ta arsyetojë si refuzim për takim me Ali Ahmetin, në fakt është vetëm një shkurre politike për të fshehur arsyet e vërteta. Me shumë gjasë, kjo “papërshtatshmëri” buron nga frika deri në palcë se çka dhe si do ta shohë Mickoski dhe VMRO-DPMNE.
Është një veprim i kalkuluar për të shmangur edhe një disiplinim dhe “tërheqje veshi” nga kryeministri, i cili çdo ditë e më tepër e kupton se nuk ka vija të kuqe dhe se nuk ka ofendim, nënçmim apo poshtërim që partnerët e tij shqiptarë nuk janë të gatshëm ta përbijnë, ta përtypin, ta përpunojnë dhe ta nxjerrin në opinion si “asgjë serioze, normale dhe raport partnerësh”. Dhe ta shoqërojnë me një kërkimfalje. Normalisht, vetëm qeverinë të mos e lëshojnë, sepse e dini ju: “BDI do hyjë në vendin tonë”.
Kjo sjellje, ky pozicionim, ka një diagnozë psikologjike: Sindroma e Stokholmit, ku viktima dashurohet me dhunuesin.
Skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po kalon një nga periudhat më të dhimbshme, më të dëmshme dhe më nënçmuese në këto 35 vite shtetësi. Nuk besoj se ka pasur ndonjëherë krizë më të madhe e më serioze për organizimin politik të shqiptarëve, si pasojë e vetë shqiptarëve si shoqëri, që duket se kemi humbur guximin, vetë-respektin dhe dinjitetin.
Liderët e vegjël kanë sjellë nënshtrimin e madh.
Top Channel