Zjarri përfshin një godinë dy katëshe në Budapest, tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka folur për një epokë të re në gjeopolitikë gjatë vizitës së tij në Evropë për Konferencën e Sigurisë në Mynih, që fillon të shtunën.
Kur gazetarët e pyetën nëse mesazhi amerikan për evropianët do të ishte më pajtues se në konferencën e vitit të kaluar, Rubio u shpreh: “Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë. Po jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë dhe kjo do të kërkojë që të gjithë ne të rishqyrtojmë se si do të jetë ajo epokë dhe cili do të jetë roli ynë.”
Rubio po kryeson delegacionin amerikan në takimin e parë të madh global në Evropë që nga periudha kur Presidenti Donald Trump kërcënoi të aneksonte Grenlandën, një vendim që tronditi besimin e aleatëve evropianë tek Uashingtoni.
Lufta në Ukrainë, tensionet me Kinën dhe një marrëveshje e mundshme bërthamore me Iranin janë temat kryesore të axhendës së konferencës, e cila pritet të përfshijë rreth 50 udhëheqës globalë.
Para nisjes së samitit, tetë ish-ambasadorë amerikanë në NATO dhe tetë ish-komandantë të lartë amerikanë në Evropë kanë publikuar një letër të hapur duke i bërë thirrje SHBA-së të ruajë mbështetjen ndaj aleancës perëndimore të mbrojtjes.
Ndërkohë, vëmendja është drejtuar edhe tek fjalimi i Marco Rubios, i cili do të mbahet të shtunën në mëngjes. Edhe pse konsiderohet më i moderuar se nënpresidenti J.D. Vance, që vitin e kaluar tronditi Evropën me kritikat e tij, evropianët nuk mund të përjashtojnë mundësinë e një qëndrimi të fortë diplomatik nga Sekretari i Shtetit amerikan.
Konferenca do të diskutojë mbrojtjen evropiane dhe të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, në një kohë kur angazhimet e SHBA-së ndaj NATO-s dhe siguria në kontinent janë vënë në pikëpyetje.
Top Channel