Fermerët grekë i drejtohen Athinës, zhvendosin protestat e tyre bujqësore në sheshin Sintagma

13/02/2026 20:43

3 javë pasi kanë hequr traktorët e tyre nga shumë akse rrugore të cilat i mbajtën të bllokuara për gati një muaj e gjysmë, fermerët grekë i janë drejtuar Athinës.

Mijëra prej tyre me qindra traktorë nga e gjithë Greqia kanë “zbarkuar” sot në qendër të Athinës, duke kthyer sheshin Sintagma në epiqendrën e protestës së sektorit bujqësor.

Ata kanë mbërritur nga çdo cep i vendit me autobusë, makina, anije dhe avionë. Ndërsa traktorët që hynë në kryeqytet nën shoqërimin e policisë rrugore, në hyrjet e Athinës janë  dezinfektuar për shkak të rrezikut nga sëmundjet e bagëtive.

Autokolona e mjeteve bujqësore arriti në bulevardin Amalias, mes duartrokitjeve dhe sinjaleve të borive dhe traktorët janë rreshtuar para Parlamentit, ku u mbajt tubimi i madh i organizuar nga Komiteti Panhelen i Bllokadave të rrugëve automobilistike.

Fermerët deklarojnë se problemet e tyre mbeten të pazgjidhura. Ata protestojnë për rritjen e kostos së prodhimit, çmimet e ulëta të shitjes së produkteve dhe kërkojnë kompensim për të ardhurat e humbura. Sipas përfaqësuesve të tyre, takimi i fundit me kryeministrin solli vetëm premtime pa rezultate konkrete.

Ndër kërkesat kryesore janë ulja e çmimit të energjisë elektrike, nafta pa taksa shtesë për makineritë bujqësore dhe serrat, mbështetja për blegtorinë dhe përshpejtimi i pagesave të subvencioneve. Shumë fermerë paralajmërojnë se, nëse situata nuk ndryshon, prodhimi bujqësor rrezikon të bëhet i paqëndrueshëm.

Atmosfera në Sintagma është dinamike, me pjesëmarrje edhe nga sindikata dhe organizata punëtore që shprehën solidaritetin e tyre. Përfaqësuesit e sektorit primar kanë vendosur të kalojnë natën në sheshin përpara Parlamentit dhe pritet të largohen të organizuar ditën e nesërme.

Fermerët theksojnë se mobilizimet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke paralajmëruar se bllokadat mund të rikthehen nëse nuk merren masa konkrete për mbështetjen e bujqësisë dhe për mbajtjen gjallë të zonave rurale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB