Zgjidhet presidenti i Republikës Sërpska, kush është Sinisha Karan
Studentët e Juridikut në Maqedoninë e Veriut dorëzuan peticion në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së, me kërkesë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ndërkohë, nga Ministria e Drejtësisë thonë se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk parashikon dhënien e provimit në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Debati ka nxitur reagime në opinionin publik dhe në qarqet akademike. Sipas profesor Ljubomir Frçkoski, çështja e provimit të jurisprudencës nuk duhet të politizohet, pasi ajo lidhet drejtpërdrejt me procesin arsimor dhe me të drejtat individuale të studentëve.
Lidhur me këtë debat, Ljubomir Frçkoski, profesor në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi”, Shkup, dekan i FON dhe ish-ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Nju Jork, thotë se mundësia për t’u shkolluar dhe për të pasur arsim cilësor nuk duhet të përdoret si mjet presioni, pazari apo përfitimi politik. Ai thekson se provimi i jurisprudencës është vazhdimësi e procesit arsimor dhe, si i tillë, duhet të lidhet me gjuhën në të cilën studentët kanë kryer studimet.
Pjesë nga intervista:
Nova TV: Si e vlerësoni debatin rreth mundësisë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe?
Prof. Dr. Frçkoski: Hapja e mundësisë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe po merr dimensione politike, shpesh si linjë përplasjeje midis shtrirjes së përdorimit të gjuhës shqipe dhe përdorimit zyrtar të gjuhës maqedonase. Kjo, natyrisht, merr dimensione politike edhe në Qeveri dhe përplasja po shndërrohet në diçka që në asnjë rast nuk duhet të bëhet, dhe me gjasë ka prirje të ashpërsohet.
Nova TV: A duhet kjo çështje të lidhet me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe procedurën para Gjykatës Kushtetuese?
Prof. Dr. Frçkoski: Mendoj se, pavarësisht kësaj, dhe pa dashur të komentoj tani Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili është në procedurë para Gjykatës Kushtetuese dhe në të cilin mbështeten ata që kundërshtojnë të drejtën që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe – ndër ta edhe ministri i Drejtësisë – duhet të ndalemi drejtpërdrejt te mundësitë dhe argumentet kushtetuese e ligjore. Ato tregojnë se provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën në të cilën personi, përkatësisht kandidati, e ka ndjekur arsimin juridik.
Nova TV: Me çfarë lidhet konkretisht provimi i jurisprudencës – me punësimin apo me arsimin?
Prof. Dr. Frçkoski: Provimi i jurisprudencës lidhet me arsimin e mëparshëm juridik të kandidatëve që duan ta japin, dhe jo me atë se ku ata mund të punësohen nesër. Pra, ai nuk lidhet me gjykatat, avokatinë apo noterinë, as me procedurat gjyqësore, por me procesin arsimor.
Nova TV: Çfarë do të thotë kjo për studentët që kanë studiuar në gjuhën shqipe?
Prof. Dr. Frçkoski: Nëse procesi arsimor i studentëve për katër vite është zhvilluar në një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, në këtë rast në gjuhën shqipe, ata duhet të kenë mundësi ta japin edhe provimin e jurisprudencës, i cili në një farë mënyre është pjesë përfunduese e arsimit në atë fushë – penale, juridike, civile. Në të kundërt, këta studentë do të diskriminoheshin në dhënien e provimit të jurisprudencës në krahasim me kolegët e tyre, gjuha amtare e të cilëve është maqedonishtja, nëse provimi do të jepej vetëm në maqedonisht. Dhe këtu, në këtë kuptim, përfundon debati.
Nova TV: A përbën diskriminim heqja e kësaj të drejte?
Prof. Dr. Frçkoski: Heqja e të drejtës që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, përkatësisht në gjuhën në të cilën ata janë arsimuar, përbën diskriminim dhe është kategori jokushtetuese. Kjo e drejtë për dhënien e provimit të jurisprudencës është, de facto, një e drejtë private e studentëve dhe nuk lidhet me vendin ku ata do të punojnë në gjykata.
Nova TV: Si i përgjigjeni argumentit se procedurat gjyqësore zhvillohen në gjuhën maqedonase?
Prof. Dr. Frçkoski: Argumenti se procedurat gjyqësore zhvillohen në gjuhën maqedonase nuk është relevant në këtë kontekst. Shteti nuk u garanton këtyre kandidatëve punësim në gjykata apo si avokatë, ndaj prej kësaj nuk mund të rrjedhë detyrimi që ta njohin maqedonishten për shkak të punës në procedurat gjyqësore.
Gjithashtu, mendimi i Komisionit të Venecias se dygjuhësia e plotë e procedurave gjyqësore do ta çonte procedurën në absurditet dhe se nuk është e zbatueshme, i referohet procedurave gjyqësore, jo dhënies së provimit të jurisprudencës. Procedurat gjyqësore mund të mbeten kryesisht në maqedonisht, me të drejtën e personit të flasë në gjuhën e vet dhe të ketë përkthyes. Por kjo aspak nuk do të thotë se edhe provimi i jurisprudencës duhet të jetë vetëm në maqedonisht. Një presion i tillë në thelb paraqet diskriminim.
Nova TV: Çfarë duhet të bëhet me ligjin dhe a ekziston rrezik për “lavinë” kërkesash?
Prof. Dr. Frçkoski: Provimi i jurisprudencës nuk duhet të jepet vetëm në gjuhën maqedonase. Ligji duhet të tërhiqet dhe të ndryshohet në drejtim të mundësimit të dhënies së provimit edhe në gjuhën e komunitetit që përbën të paktën 20% në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Frika e propozuesit se kjo mund të shkaktojë një “lavinë” kërkesash – për shembull që provimet për nëpunës shtetërorë ose administratë publike të jepen në gjuhën shqipe – është e pabazuar. Provimi i jurisprudencës lidhet me procesin arsimor dhe me të drejtën private të studentëve për ta përfunduar atë proces me dhënien e provimit. Ai nuk lidhet me vendin ku ata do të punojnë, e përsëris.
Ligji për administratën shtetërore lidhet me vendin ku personat konkurrojnë dhe me kushtet që duhet të plotësojnë në kuadër të administratës shtetërore, siç është njohja e gjuhës maqedonase për nëpunësit shtetërorë. Aty ka logjikë që provimi të jepet në maqedonisht dhe të kërkohet njohja e saj. Por në sferën e jurisprudencës, përkatësisht në dhënien e provimit të jurisprudencës, një lidhje e tillë me punësimin nuk ekziston. Prandaj kjo çështje lidhet ekskluzivisht me arsimin dhe me gjuhën në të cilën studentët e kanë marrë arsimin në fakultetet juridike.
Top Channel