Dyshohet se qëlloi veten me armë zjarri, ndërron jetë 47-vjeçari në Tiranë
Vdekja e Massimo Ferro-s, një sipërmarrës 54-vjeçar nga Camposampiero i Italisë, po hetohet në dy shtete, Shqipëri dhe Itali, për të zbardhur rrethanat që çuan në ndarjen e tij nga jeta më 22 dhjetor, disa ditë pas një operacioni për rezeksion gastrik në një klinikë private në Tiranë.
Së fundmi, me kërkesë të Prokurorisë së Padovës, është kryer një autopsi e dytë në Itali nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli. Kjo vjen pas autopsisë së parë të realizuar në Shqipëri një ditë pas vdekjes.
Rezultatet e dy ekzaminimeve do të krahasohen për të përcaktuar nëse vdekja erdhi për shkaqe natyrore apo si pasojë e ndonjë ndërlikimi nga operacioni ose kujdesi pas ndërhyrjes, shkruan Corriere.
Autopsia e kryer në Itali ka dhënë vetëm të dhëna të pjesshme, pasi mungonin stomaku dhe një pjesë e zemrës, të hequra gjatë ekzaminimit në Tiranë.
Prokuroria e Padovës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve shqiptare të vënë në dispozicion të gjitha dokumentet mjekësore. Ndërkohë, një kirurg dhe një dietolog nga Lombardia janë regjistruar si persona nën hetim në Itali, në lidhje me vlerësimet mjekësore të kryera para udhëtimit të Ferros drejt Shqipërisë.
Avokatja Jenny Lopresti, që përfaqëson familjen, ka theksuar se do të jetë thelbësore rindërtimi i plotë i historisë mjekësore të 54-vjeçarit. Sipas saj, Ferro ishte vizituar më 6 dhjetor në Milano dhe ishte operuar më 18 dhjetor.
Hetimet do të përqendrohen nëse janë kryer të gjitha analizat paraoperative të kërkuara nga protokollet, përfshirë profilaksinë me antibiotikë, si dhe nëse pacienti i është nënshtruar vlerësimit psikologjik dhe atij multidisiplinar, të domosdoshëm për ndërhyrje të tilla.
Shtetasi italian Massimo Ferro, më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, iu nënshtrua në Trita Hospital një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut (kirurgji bariatrike).
Reagimi i Spitalit
Ndërkohë, në një reagim zyrtar, spitali deklaron se: “Më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, shtetasi Massimo Ferro iu nënshtrua në Trita Hospital një ndërhyrjeje kirurgjikale bariatrike për zvogëlimin e stomakut. Procedura u krye nga ekip i specializuar
dhe në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi.
Pacienti kishte ndjekur më parë këshillim dhe monitorim dietologjik në Itali dhe kishte marrë miratimin e plote për kryerjen e kësaj procedure nga specialisti që ndiqte rastin e tij ne Itali. Në ditën e katërt pas operacionit, pas shfaqjes së çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua menjëherë për trajtim më të specializuar. Ekipi mjekësor ndërmori pa vonesë të gjitha veprimet e kërkuara nga praktika klinike.
Pacienti u trajtua më pas në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku, pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë më 22 dhjetor.
Pas ngjarjes, sipas protokolleve dhe procedurave, dokumentacioni mjekësor është sekuestruar nga autoritetet përkatëse dhe është në zhvillim një hetim penal, me të cilin Trita Hospital po bashkëpunon plotësisht dhe pa asnjë rezervë.”.
“Në ditën e katërt pas operacionit, për shkak të çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua për trajtim më të specializuar. Ekipi mjekësor reagoi menjëherë pas shfaqjes së komplikacioneve të para, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas praktikës klinike.
Pacienti u monitorua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku mori ndihmën e duhur mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, Massimo Ferro pësoi arrest kardiak në ditën e pestë pas ndërhyrjes dhe ndërroi jetë në mbrëmjen e datës 22 dhjetor”, vijon në njoftimin e spitalit.
Trita Hospital bëri të ditur se ka kryer verifikimin e plotë të protokolleve të ndjekura për këtë rast, duke konstatuar se nga ana e stafit mjekësor janë respektuar me përpikmëri të gjitha procedurat përkatëse.
“Kartela mjekësore e pacientit është sekuestruar nga autoritetet shtetërore, të cilat kanë nisur veprimet procedurale të parashikuara nga ligji. Në lidhje me pretendimet për heqje organesh, sqarojmë se trupi i të ndjerit është tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë. Organet ndodhen në këtë institucion, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe procedurat ligjore në fuqi“, vijon më tej njoftimi i spitalit.
Top Channel