Vdiq pas një operacioni në Tiranë, prokuroria e Padovas nis hetimin për ndarjen nga jeta të biznesmenit italian. Reagon spitali: Dietologia e miratoi ndërhyrjen

12/02/2026 13:50

Vdekja e Massimo Ferro-s, një sipërmarrës 54-vjeçar nga Camposampiero i Italisë, po hetohet në dy shtete, Shqipëri dhe Itali, për të zbardhur rrethanat që çuan në ndarjen e tij nga jeta më 22 dhjetor, disa ditë pas një operacioni për rezeksion gastrik në një klinikë private në Tiranë.

Së fundmi, me kërkesë të Prokurorisë së Padovës, është kryer një autopsi e dytë në Itali nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli. Kjo vjen pas autopsisë së parë të realizuar në Shqipëri një ditë pas vdekjes.

Rezultatet e dy ekzaminimeve do të krahasohen për të përcaktuar nëse vdekja erdhi për shkaqe natyrore apo si pasojë e ndonjë ndërlikimi nga operacioni ose kujdesi pas ndërhyrjes, shkruan Corriere.

Autopsia e kryer në Itali ka dhënë vetëm të dhëna të pjesshme, pasi mungonin stomaku dhe një pjesë e zemrës, të hequra gjatë ekzaminimit në Tiranë.

Prokuroria e Padovës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve shqiptare të vënë në dispozicion të gjitha dokumentet mjekësore. Ndërkohë, një kirurg dhe një dietolog nga Lombardia janë regjistruar si persona nën hetim në Itali, në lidhje me vlerësimet mjekësore të kryera para udhëtimit të Ferros drejt Shqipërisë.

Avokatja Jenny Lopresti, që përfaqëson familjen, ka theksuar se do të jetë thelbësore rindërtimi i plotë i historisë mjekësore të 54-vjeçarit. Sipas saj, Ferro ishte vizituar më 6 dhjetor në Milano dhe ishte operuar më 18 dhjetor.

Hetimet do të përqendrohen nëse janë kryer të gjitha analizat paraoperative të kërkuara nga protokollet, përfshirë profilaksinë me antibiotikë, si dhe nëse pacienti i është nënshtruar vlerësimit psikologjik dhe atij multidisiplinar, të domosdoshëm për ndërhyrje të tilla.

Shtetasi italian Massimo Ferro, më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, iu nënshtrua në Trita Hospital një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut (kirurgji bariatrike). Spitali deklaron me përgjegjësi të plotë se ndërhyrja është kryer në përputhje me të gjitha protokollet dhe standardet mjekësore në fuqi. Pacienti kishte marrë më parë miratimin për kryerjen e kësaj procedure edhe nga dietologia e tij në Itali, e cila e kishte ndjekur prej kohësh.

Në ditën e katërt pas operacionit, për shkak të çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua për trajtim më të specializuar. Ekipi mjekësor reagoi menjëherë pas shfaqjes së komplikacioneve të para, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas praktikës klinike.

Pacienti u monitorua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku mori ndihmën e duhur mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, Massimo Ferro pësoi arrest kardiak në ditën e pestë pas ndërhyrjes dhe ndërroi jetë në mbrëmjen e datës 22 dhjetor.

Reagimi i Spitalit

Menjëherë pas ngjarjes, Trita Hospital ka kryer verifikimin e plotë të protokolleve të ndjekura për këtë rast, duke konstatuar se nga ana e stafit mjekësor janë respektuar me përpikmëri të gjitha procedurat përkatëse. Kartela mjekësore e pacientit është sekuestruar nga autoritetet shtetërore, të cilat kanë nisur veprimet procedurale të parashikuara nga ligji.

Në lidhje me pretendimet për heqje organesh, sqarojmë se trupi i të ndjerit është tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë. Organet ndodhen në këtë institucion, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe procedurat ligjore në fuqi.

Në respekt të kujtimit të Massimo Ferro dhe të familjes së tij, kërkojmë që me maturi dhe empati të priten rezultatet e autopsisë dhe përfundimi i të gjitha procedurave ligjore, të cilat do të përcaktojnë shkakun e kësaj humbjeje të rëndë.

Trita Hospital i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ferro dhe qëndron pranë tyre në këto momente të vështira.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB