Kërkesa e SPAK në Kuvend për Ballukun, Balla: Këshilli i Mandateve do të mblidhet, presim vendimin e zbardhur nga Kushtetuesja

12/02/2026 15:52

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, shprehu nga Kuvendi drejt mbylljes së seancës së sotme se Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Deputeti socialist tha se Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do ta shqyrtojë kërkesën dhe shtoi se do të vijojë një proces adresimi të asaj që ka thënë Kushtetuesja, teksa pritet zbardhja e vendimit që u mor para pak ditësh.

Balla shprehu se Këshilli i Mandateve ka një kohë prej 3 muajsh dhe se vendimmarrja  e thotë qartë se ishin të detyruar të prisnin vendimin e Kushtetueses për sa kohë palë e përfshirë ishte dhe Kuvendi.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është tërësisht në përputhje me Kuvendin. Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli ka një kohë të përcaktuar prej 3 muajsh. Vendimmarrja e marrë në Këshill qartazi ka thënë sesa kohë kishte një çështje ku palë e përfshirë ishte Kuvendi i Shqipërisë, natyrshëm që ishim të detyruar që të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha deputeti demokrat nga foltorja.

Më tej kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se nuk ka asnjë dyshim që Këshilli Mandateve do të mblidhet.

“Jemi në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur një vendim, edhe pse 8 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë palës kërkuese, kryeministrit që kishte ndërhyrje në kompetencat e Këshillit të Ministrave, parlamentit dhe presidentit. Nuk ka asnjë dyshim që Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën, ndërkohë që ne do të vijojmë me një proces adresimi të asaj që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Na duhet ta marrim vendimin të zbardhur”, tha Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB