AAPSK thellon bashkëpunimin rajonal, nënshkruan marrëveshje me homologët në Kosovë

12/02/2026 13:57

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), nën drejtimin e Kryeadministratores Risena Xhaja, zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, e cila u kurorëzua me nënshkrimin e Memorandumit të Partneritetit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Memorandumi, i nënshkruar nga Kryeadministratorja Risena Xhaja dhe u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së në Kosovë, Alban Sutaj, përbën një hap konkret drejt institucionalizimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e menaxhimit dhe ripërdorimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga veprimtaria kriminale.

Sipas Memorandumit, palët angazhohen të ndërtojnë marrëdhënie mbi parimet e barazisë, partneritetit të drejtë, ndihmës reciproke, transparencës dhe përgjegjësisë së përbashkët për rezultatet e bashkëpunimit.

Qëllimi kryesor është forcimi i kapaciteteve institucionale në menaxhimin e aseteve që rrjedhin nga korrupsioni dhe krime të tjera, duke shkëmbyer përvojat më të mira dhe duke harmonizuar praktikat me standardet evropiane në kuadër të procesit të integrimit.

Memorandumi parashikon organizimin e seminareve, konferencave, forumeve dhe webinarëve të përbashkët; krijimin e grupeve të përbashkëta të punës; shkëmbimin e praktikave mbi: administrimin dhe menaxhimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara; format e tjetërsimit të tyre; ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara; metodologjitë e vlerësimit të aseteve. Gjithashtu marrëveshja parashikon shkëmbimin e informacionit (duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave); si edhe asustencë për bashkëpunim me organizata dhe fondacione ndërkombëtare.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti:

“Ky Memorandum nuk është thjesht një dokument formal, por një platformë konkrete për të ndërtuar një model të përbashkët rajonal në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Shqipëria dhe Kosova ndajnë sfida të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar. Përmes këtij bashkëpunimi do të rrisim eficiencën, transparencën dhe profesionalizmin në menaxhimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtari kriminale.”

Ajo nënvizoi se koordinimi që në fazat e hershme të procedurave të sekuestrimit është thelbësor për të garantuar ruajtjen e vlerës së aseteve dhe për të maksimizuar përfitimin publik nga konfiskimi i tyre.

Nga ana e tij, u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së në Kosovë, Alban Sutaj, u shpreh:

“Ky partneritet krijon një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim afatgjatë, duke na mundësuar të shkëmbejmë ekspertizë dhe të përmirësojmë procedurat tona për administrimin, vlerësimin dhe ripërdorimin e pasurive të konfiskuara. Forcimi i mekanizmave institucionalë mes dy vendeve tona është një investim i drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit.”

Në kuadër të vizitës zyrtare, delegacioni i AAPSK u prit edhe nga Prokurori dhe Drejtuesi i Zyrës për Rikuperimin e Aseteve (ARO) në Kosovë, z. Bahri Hyseni.

Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e planifikimit të hershëm dhe koordinimit ndërinstitucional përpara sekuestrimit; shkëmbimin e informacionit operacional në funksion të ruajtjes së vlerës së pasurive; ndërtimin e mekanizmave të përbashkët për menaxhimin efektiv të aseteve me karakter ndërkufitar.

Në takim u theksua se bashkëpunimi ndërmjet strukturave të administrimit të pasurive dhe atyre të rikuperimit të aseteve është vendimtar për të garantuar që konfiskimi të mos mbetet vetëm një masë penale, por të përkthehet në përfitim konkret për shtetin dhe shoqërinë.

Vizita zyrtare e AAPSK në Kosovë shënon një fazë të re në thellimin e marrëdhënieve institucionale mes dy vendeve. Memorandumi i nënshkruar krijon bazën për një model të qëndrueshëm bashkëpunimi, me fokus në profesionalizëm, transparencë dhe përdorim sa më eficient të pasurive të konfiskuara në interes të publikut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB