22-vjeçari shqiptar, Kelmend Tershalla, u dënua me 25 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u kap me drogë të fshehur nën makinën e tij dhe kishte postuar në internet foto ku tregonte shuma të mëdha parash cash, armë dhe ora luksoze.
Sipas shkrimi të Daily Mail të cilit i referohet Top Channel, Kelmend Tershalla u arrestua në High Wycombe, Buckinghamshire, vitin e kaluar pasi u ndalua nga policia gjatë një kontrolli antidroge.
22-vjeçari, i cili u paraqit në gjykatë me ndihmën e një përkthyesi shqiptar, tani është burgosur për 25 muaj.
Gjatë seancës gjyqtari e kritikoi Tershallën për imazhet e tij duke pozuar me para, drogë dhe armë.
Meqenëse është dënimi i tij i parë në Mbretërinë e Bashkuar, gjyqtari i shpjegoi atij se dënimi do të ishte më i rëndë nëse ai do të kryente përsëri shkelje.
Prokurori Peter Shaw, duke ndjekur penalisht çështjen në Gjykatën e Kurorës Aylesbury të martën, tregoi se si policia kishte ndaluar një automjet që drejtohej nga Tershalla në orën 5:15 pasdite më 25 tetor.
Zyrtarët e Policisë së Thames Valley zbuluan 6 doza kokainë, 31 kavanoza me kanabis dhe 5 pako me cigare elektronike me kanabis.
Tershallë iu gjetën gjithashtu me 319 paund cash dhe një telefon celular i cili u sekuestrua nga policia.
“Shumica e mesazheve të përmbajtura në telefon ishin në shqip, por nga numri i vogël i mesazheve në anglisht, ishte e qartë se i pandehuri po udhëzohej nga një kontakt për t’u siguruar përdoruesve kokainë dhe kanabis”, tha prokurori.
“I pandehuri dukej se po kontaktonte përdoruesit dhe po organizonte furnizimin me drogë”, shtoi prokurori.
Tershalla dha një intervistë pa koment në polici dhe gjykatës iu bë me dije se ai nuk kishte dënime të mëparshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një seancë dëgjimore për përgatitjen e pranimit të fajësisë dhe gjyqit, ai më vonë kishte pranuar posedim droge të klasit A me qëllim shitjen si dhe posedimin e pasurisë kriminale.
Rhys Rosser, avokati mbrojtës, tha se Tershalla ishte ‘plotësisht i penduar’ për përfshirjen e tij në trafikun e drogës dhe se i kishte shkruar gjykatës për të treguar se do të pranonte fajësinë.
“319 paund nuk janë tregues i një përfitimi të konsiderueshëm financiar”, argumentoi avokati i Tërshallës.
“I pandehuri po udhëzohej nga persona të tjerë”, shtoi ai.
Gjykatësi Simon Dyer KC tha se Tershalla po luante një rol më të vogël në sipërmarrjen e drogës, por tha se ai ishte ‘duke u mburrur’ në fotografitë e gjetura nga policia.
Imazhet tregojnë Tershallën duke pozuar me një armë pranë një tavoline të mbuluar me kartëmonedha.
Një tjetër tregonte Tershallën me një orë dore të shtrenjtë, duke mbajtur një tufë parash para fytyrës së tij.
Gjykatësi Dyer i tha atij: “Nuk ka prova të besueshme që të vendosin në një kategori më të lartë të veprës penale, megjithëse gjykata nuk është e impresionuar nga shfaqja mjaft arrogante e parave, makinave dhe armëve, në fotografi”, u shpreh Dyer.
“Veprimet tuaja ja atribuoj papjekurisë suaj, ndaj dhe dënimi nuk do jetë maksimal”, shtoi gjykatësi.
“Ky është dënimi juaj i parë në një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse do të vinit përsëri këtu, dënimi do të ishte shumë më i gjatë”, përfundoi gjykatësi.
Top Channel