Dy grupe të rinjsh shqiptarë u përleshën dy herë në qendër të Athinës, me bilanc 26 persona të implikuar dhe 8 të arrestuar.
Tre prej tyre mbetën të plagosur rëndë me thikë në pjesën e gjoksit, duke rrezikuar jetën, pasi plagët ishin pranë zemrës. Dyshohet për dy motive pas ngjarjes.
“Një total prej 26 personash, anëtarë të dy grupeve të ndara që vepronin me disiplinë ushtarake, zgjidhën mosmarrëveshjet e tyre në Kato Patisia. Tre prej tyre përfunduan të plagosur rëndë në spital, pasi u goditën me thikë në gjoks, pranë zemrës”, informon media greke.
Shkak u bë rrahja dy ditë më parë e shqiptarit Enki Xhalli nga Xhesildo Gruda dhe Ioannis Panagiotis Polymenos jashtë lokalit “Beat”.
Dy ditë më pas, dy grupet e udhëhequra nga Xhalli dhe Gruda, i cili njihet me pseudonimin “Cico”, u takuan për të zgjidhur mosmarrëveshjen.
Arsyeja e sherrit fillestar, sipas asaj që i thanë të arrestuarit Policisë së Sigurisë së Athinës, ishte një vajzë. Megjithatë, ka indikacione serioze se motivi i vërtetë pas dhunës ishte kontrolli i trafikut të drogës, për shkak të sekuestrimeve të kryera në banesa.
Në kontrollet e zhvilluara në shtëpitë e të akuzuarve u gjetën dhe u sekuestruan: 97 gramë marijuanë, 51 gramë metamfetaminë, një pistoletë manovër, 6 thika, si dhe sende të tjera të paligjshme.
Top Channel