I doli emri në e-mailet ku i thoshte Epstein se “Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”, KiE i heq imunitetin ish-sekretarit të përgjithshëm, Thorbjorn Jagland

11/02/2026 18:12

Komiteti i Ministrave në Këshillin e Europës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjorn Jagland, emri i të cilit përmendej disa herë mes milionave faqeve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për pedofilin Jeffrey Epstein, ku mes të tjerash fliste dhe për vajzat shqiptare.

Vendimi për heqjen e imunitetit është marrë pas një kërkese nga autoritetet norvegjeze për të ndjekur procedurat në lidhje me akuzat për korrupsion, pas zbulimeve që nga nëntori i vitit 2025, që lidheshin me dokumentet e publikuara nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara në çështjen penale “Epstein”.

Pas zbulimeve të nëntorit 2025, mora të gjitha masat që i konsiderova të nevojshme për të mbrojtur integritetin dhe reputacionin e Këshillit të Evropës. Kërkova hapjen e një hetimi të brendshëm administrativ joformal me qëllim sqarimin e rrethanave të kësaj çështjeje dhe verifikimin e informacionit që ishte në dispozicion”-tha sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset.

Më herët, Norvegjia ka nisur një hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland, nën dyshimin për korrupsion që rrjedh nga kontakti i tij me financierin amerikan, Jeffrey Epstein. Hetimi do të përqendrohet në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata ose favore në lidhje me pozicionet e tij. Emri i tij përmendej shumë herë në dosjet “Epstein”.

Në një email drejtuar Epstein në 25 maj të 2012-ës, Jagland shkruante: “Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), atje ka vajza të jashtëzakonshme.” Ndërsa vijonte më tej, “Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Do të kthehem të enjten….Nëse nuk e keni telefonuar ende Barbara Daniels, “ju lutem më njoftoni”… Bill Richardson do të donte të telefonate”.

Thorbjorn Jagland shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës për një dekadë, nga viti 2009 deri në 2019, dhe kryesoi Komitetin Norvegjez të Nobelit nga viti 2009 deri në vitin 2015.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB