I akuzuar për sulmin kibernetik ndaj SPAK, ish-drejtori i Burgjeve paraqitet në GJKKO, nis seanca parapake Katërmbëdhjetë shërbime të reja sociale u prezantuan sot nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në kuadër të eventit “Fondi Social 2026-Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.
Gjatë vitit 2026, Fondi Social do të financojë 14 shërbime të reja, të dedikuara për fëmijët dhe nënat në nevojë, fëmijët dhe të rriturit me aftësi ndryshe, të moshuarit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror.
Nga këto, 12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Prrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz, ndërsa dy shërbime të reja Emergjence dhe Linje Këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ka ndodhur një transformim rrënjësor i sistemit të shërbimeve sociale në dekadën e fundit, duke theksuar se sot Shqipëria mbështet në mënyrë të organizuar rreth 65 mijë individë përmes një rrjeti institucionesh dhe shërbimesh në nivel qendror dhe vendor.
Ai nënvizoi se risia më e rëndësishme e këtij procesi është shtrirja e shërbimeve në nivelin vendor dhe përfshirja aktive e bashkive, si një garanci për qëndrueshmërinë dhe eficiencën e tyre.
Rama ka falënderuar BE dhe ambasadorin Silvio Gonzato për mbështetjen, duke mos i kursyer edhe notat e humorit.
“Ndërkohë, dua të falënderoj dhe përfaqësuesin e UNICEF-it, realisht e kemi nevojë për këtë bashkëpunim. Nëse BE i ka të dyja, ka edhe lekët, ka edhe mendjen, UNICEF nuk ka lekë, por ka mendjen, ka edhe zemrën, kështu që kinezët thonë “një mendje, hiç mendje; dy mendje, një mendje; tre mendje, dy mendje’’ kështu që bashkimi i mendjeve tuaja bën një mendje për ne. Edhe mendja jonë, edhe pastaj zemrën e kemi vetë ne, se ti je dhe turk, ndërkohë që këta kanë edhe lekët që i kanë ato, s’kemi ça bëjmë”, tha ai.
Fjala e Ramës:
Përshëndetje të gjithëve! Është realisht një arsye e qenësishme për të qenë krenar, transformimi tërësor dhe rrënjësor i sistemit të mbështetjes dhe të shërbimeve sociale në Shqipëri në këtë dekadë të fundit, ku përpjekja nisi në kushte tejet të vështira, me një borxh të akumuluar dhe dhjetëra, e dhjetëra miliona eurosh ndaj personave me aftësi ndryshe dhe ndaj familjeve me ndihmë ekonomike. Ishte një borxh i madh në malin e borxheve të trashëguara që u desh adresuar me shumë përpjekje, me reforma dhe me masa këmbëngulëse.
Por paralelisht me shlyerjen e borxhit dhe me ndërtimin e qasjes së re bazuar në një vizion që mishëron edhe arsyen e të qenit të kësaj shumice qeverisëse, është dashur një punë e madhe e disa njerëzve të pasionuar dhe të përkushtuar, të cilët dua t’i falënderoj edhe publikisht përveçse drejtpërdrejtë, ku më është dhënë mundësia, dhe dua të veçoj sot zëvendësministren Denadën, e cila ka pasur një rol përcaktues në këtë transformim dhe Drejtoren e Përgjithshme Reme Lalën, e cila ka luajtur po ashtu një rol të rëndësishëm në të gjithë përpjekjen për të zbatuar ato që janë shkruar në letër.
Por risia vendimtare e këtij procesi ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivelin vendor dhe përfshirja e pushtetit vendor në mënyrë aktive, gjë që është në hapat e parë për hir të vërtetës, por që në hapat e parë na ka dhënë të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga e drejtë. Dhe sigurisht nën lidershipin e një kryetari bashkie me përvojë dhe me sukses të pamohueshëm, siç është ministri aktual i Shtetit për Pushtetin Vendor që për hir të vërtetës, ka veshur kostumin e ministrit, por nuk është ndarë akoma nga xhubleta e kryetarit të bashkisë, kam shumë besim se do të krijohet një sinergji e domosdoshme me kryetarët e bashkive për ta çuar këtë proces përpara.
Dhe çuarja e këtij procesi përpara nënkupton që të shkojmë përtej volumit dhe përtej shifrave që janë jashtëzakonisht inkurajuese, sepse që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është diçka shumë domethënëse dhe nuk janë 65 mijë individë të cilët i prek një sistem financimi, por janë 65 mijë individë, të cilët i prek një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh dhe kështu me radhë.
Ama nga ana tjetër, bazuar edhe në mënyrën se si funksionon ende për fat të mirë shoqëria shqiptare, që nuk është akoma tërësisht e perëndimorizuar në pikën që njeriu nuk i thotë mirëmëngjesi njeriu edhe pse mund të jetojnë ballë për ballë. Është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë shumë më tepër përfshirjen e familjeve në këtë sistem përkujdesjeje sociale.
Shembulli që u paraqit këtu ishte shumë prekës, shumë motivues dhe nxitës për të kërkuar më shumë familje, të cilat janë të gatshme të marrin pjesë në këtë përpjekje sociale dhe të kujdesen për fëmijë që kanë nevojë jo thjesht për një strehë, por për një strehë nën të cilën ka një ngrohtësi familjare dhe këtu duhen gjetur mekanizmat e financimit bashkërisht me pushtetin vendor, por në këtë pikë pushteti vendor është kyç dhe kryetarët e bashkive janë absolutisht aktorët kryesor për të arritur që të përcjellin sensin e kësaj qasjeje dhe për të arritur që të bëjnë punën e nevojshme bindëse për familje, të cilat mund të bashkohen në këtë qasje dhe të cilave duhet t’u dedikojmë një fond të veçantë.
Thënë të gjitha këto, dua të shtoj se buxheti është gjithmonë e më domethënës sigurisht. Është rritur siç e tha ministrja 6 herë nga momenti kur ne kemi nisur këtë përpjekje.
Është 17 % më i lartë këtë vit sesa vitin e shkuar, por buxheti nuk është e gjitha dhe nuk i thotë dhe as i zgjidh dot të gjitha. Kështu që për këtë arsye na duhet që këtë proces decentralizimi ta thellojmë, ta bëjmë më të konsoliduar dhe në ndërkohë të rrisim patjetër edhe cilësinë e jetës nën strehët e kujdesit shoqëror.
Ne kemi nisur një proces në Tiranë me transformimin e kushteve për jetimoren e famshme, shtëpinë e përkujdesjes për fëmijë “Zyber Hallulli” në një fshat të përkujdesjes brenda qytetit natyrisht dhe me këtë frymë është mirë ë të shohim me bashkitë dhe të tjera mundësi për të krijuar hapësira komunitare të rëndësishme nga pikëpamja e kushteve dhe cilësisë.
Dhe në mbyllje dua të falënderoj sigurisht, jo sepse e kërkon protokolli se në pikën kur duhen falënderuar ambasadorët, vjen ajo kënaqësia ime për ta thyer protokollin dhe përgjithësisht mbase e keni vënë re që i kam shumë të kursyera falënderimet për ambasadorët se në fakt ata bëjnë detyrën dhe duket sikur bëjnë ndonjë sakrifice që janë me ne, por përtej protokollit, dua të falënderoj shumë sinqerisht ambasadorin e delegacionit të BE sepse e gjithë kjo që ka ndodhur, e tha Denada, – Denada është në skuadrën tonë negociatore, – nuk do ndodhte pa mbështetjen e Komisionit Europian.
Është një vizion bazuar në një strategji të cilën e përgëzoi edhe përfaqësuesi i UNICEF, i cili vjen nga një vend si Turqia ku ka një eksperiencë të madhe në qasjen ndaj problematikë së kategorive në nevojë dhe ku ka një përpjekje të vazhdueshme për t’u gjendur pranë njerëzve në nevoje kur tha që Shqipëria ka një strategji në këtë sektor, që është e dalluar në të gjithë rajonin. Dhe nëse kjo është e vërtetë, që është e vërtetë është sepse na ka ndihmuar shumë ndërveprimi me Komisionin Evropian dhe na ka ndihmuar shumë procesi i negociatave për anëtarësim.
Ky është një rast tipik konkret për të kuptuar rëndësinë e negociatave të anëtarësimit, jo thjesht si provime që duhen kaluar për të arritur më në fund për t’u ulur ne tryezën e BE, por si momente që përcaktojnë rritjen e nivelit të cilësisë në çdo sektor ku ato momente prekin këtë ndërveprim me BE. Dhe sigurisht që BE është mekanizmi më i sofistikuar i mbështetjes dhe i mirëqenies sociale. Bashkimi evropian zotëron rrjetin më të avancuar të mbështetjes nga shteti, nga sektori publik i familjeve, i individëve, i kategorive shoqërore që janë vulnerabël.
Dhe në mësimet e marra në këtë proces, janë përkthyer në një rezultat këtu, prandaj shumë faleminderit, Silvio, për gjithë mbështetjen. Më vjen keq gabove duke menduar që ishe i fundit se pas teje pati më të rëndësishëm se ty, si ministri i Pushtetit Vendor, si drejtuesi i UNICEF dhe pastaj më erdhi radha edhe mua, kështu që u nxitove kur na pe një çikë nga lart-poshtë se në fakt, tani ti je poshtë, unë jam lart, siç e sheh.
Ndërkohë, dua të falënderoj dhe përfaqësuesin e UNICEF-it, realisht e kemi nevojë për këtë bashkëpunim. Nëse BE i ka të dyja, ka edhe lekët, ka edhe mendjen, UNICEF nuk ka lekë, por ka mendjen, ka edhe zemrën, kështu që kinezët thonë “një mendje, hiç mendje; dy mendje, një mendje; tre mendje, dy mendje’’ kështu që bashkimi i mendjeve tuaja bën një mendje për ne. Edhe mendja jonë, edhe pastaj zemrën e kemi vetë ne, se ti je dhe turk, ndërkohë që këta kanë edhe lekët që i kanë ato, s’kemi ça bëjmë.
Top Channel