Pak orë para protestës kombëtare të thirrur nga opozita, kryetari i PD-së, Sali Berisha doli sërish në një konferencë për shtyp për të bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe.
Ai tha se sot vendi është në një nga momentet e tij më kritike.
“Pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar. Unë erdha përsëri t’u drejtoj thirrjen time si shqiptari-shqiptarit, si qytetari-qytetarit, të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së nuk la pa komentuar edhe takimin informal të një dite më parë në Bruksel të kryeministrit Rama me Presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Kosta.
“Sot në Bruksel përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Europës patën para tyre narko-diktatorin e parë të kontinentit, Edi Ramën. Patën para tyre njeriun që për vjedhjet e tij dhe organizatës kriminale, është i aftë dhe i gatshëm në papërgjegjshmëri të plotë, të shkelmojë dhe interesat më jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Patën para tyre njeriun, i cili i detyroi përfaqësuesit e vendeve kryesore të BE t’i nxjerrin jo kartonin e kuq, por kartonin e zi”, u shpreh lideri i opozitës.
Top Channel