Partia Demokratike mban sot protestën e tretë kombëtare, për të cilën policia dhe autoritetet përkatëse kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj.
Nisur nga fakti që në protestën e fundit të organizuar nga opozita pati akte të cilat cenuan rendin dhe sigurinë publike, ku u lënduan disa punonjës policie, u arrestuan 18 persona dhe u shpallën në kërkim 17 të tjerë, policia ka rishikuar planin e masave me më shumë detaje ku gjatë ditës së sotme pritet të zbresin në terren 1300 forca policore nga të gjitha strukturat, të cilat do të përqendrohen kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku shtrihen institucionet kryesore dhe Kryeministria, ku do jetë dhe pikënisja e protestës.
Siç është konstatuar nga protestat e mëparshme që pasi kryejnë pjesën kryesore të protestimeve para Kryeministrisë turmat e protestuesve bëjnë një tur deri në selinë e tyre, policia ka marrë masa të shtuara edhe në institucione të tjera.
Nga ana tjetër do të ketë edhe bllokim të rrugëve në zbatim të këtij plani masash i cili ka nisur të zbatohet që prej mesnatës, ku është ndaluar parkimi në bulevard, ku ka pasur edhe një bllokim të pjesshëm që prej orës 12 të mesditës për vendosjen e skenës ku do të mbahen fjalimet politike.
Ndërkohë për objektin e Kryeministrisë janë marrë të gjitha masat, janë vendosur kordonët metalikë, përforcuesit për dyert si dhe gjatë gjithë bulevardit ka kamera me rezolucion të lartë, të cilat do të monitorojnë mbarëvajtjen e protestës. Aktiv do jetë edhe plani anti-tubim, ku do të ketë të angazhuar para Kryeministrisë autobotët ujëhedhës ashtu dhe zjarrëfiksja nëse përdorimi i tyre do të jetë i nevojshëm.
Top Channel