OKB ngre alarmin: Mizoritë në Sudan një katastrofë që mund të ishte shmangur, rrezik përsëritjeje në Kordofan

10/02/2026 07:47

Mizoritë e kryera në qytetin El Fasher në Sudan përbëjnë një “katastrofë” që mund të ishte shmangur, deklaroi të hënën Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, duke paralajmëruar se krime të ngjashme rrezikojnë të përsëriten tani në rajonin fqinj të Kordofanit.

Që nga prilli i vitit 2023, Sudani është përfshirë nga një luftë e përgjakshme mes ushtrisë së rregullt dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), me të dyja palët të akuzuara për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Konflikti ka zhytur mbi 21 milionë njerëz në pasiguri ushqimore në të gjithë vendin.

Duke folur para Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë, Turk tha se agjencia e tij kishte paralajmëruar për më shumë se një vit për rrezikun e mizorive masive në El Fasher. “Kërcënimi ishte i qartë, por paralajmërimet tona u injoruan”, u shpreh ai.

Sipas burimeve të shumta, marrja e El Fasher nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në tetor u shoqërua me masakra, përdhunime dhe rrëmbime. Turk theksoi se përgjegjësia për këto krime u takon paraushtarakëve, aleatëve të tyre dhe atyre që i mbështesin.

Komisioneri i Lartë shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e luftimeve në Kordofan, ku paraushtarakët po përqendrojnë operacionet e tyre pas rënies së El Fasher, bastionit të fundit të ushtrisë në rajonin e Darfurit. Edhe pse ushtria sudaneze ka arritur së fundmi të thyejë rrethimet në qytetet Kandugli dhe Diling, sulmet me dronë nga të dyja palët vazhdojnë, duke shkaktuar viktima civile.

Sipas të dhënave të OKB-së, vetëm në dy javët deri më 6 shkurt, rreth 90 civilë u vranë dhe 142 u plagosën nga sulmet e ushtrisë sudaneze dhe paraushtarakëve. Mes objektivave të goditura ishin një konvoj i Programit Botëror të Ushqimit, tregje, objekte shëndetësore dhe zona banimi.

Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka bërë të ditur se ka prova për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Darfur. Zëvendësprokurorja e GJPN-së, Najat Shamim Khan, deklaroi se paraushtarakët kryen masakra dhe u përpoqën t’i fshehin duke hedhur viktimat në varre masive.

Komisioneri i Lartë Turk bëri thirrje për ndalimin e çdo mbështetjeje të jashtme për konfliktin dhe për respektimin e embargos së armëve. Thirrje të ngjashme u bënë edhe nga përfaqësues të Francës dhe Bashkimit Evropian, të cilët kërkuan që mizoritë e El Fasher të mos përsëriten dhe që situata humanitare në Sudan të marrë vëmendje urgjente ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB