Sekuestrohen mbi 26 mijë euro në Rinas, dy persona nën hetim për mosdeklarim parash

09/02/2026 14:26

Policia Kufitare e Rinasit ka evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave gjatë kontrolleve në pikën e kalimit kufitar, duke sekuestruar mbi 26 mijë euro dhe paundë.

Në kuadër të kontrolleve të shtuara, të bazuara edhe në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasin shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë kontrollit në vijën e dytë, atij iu gjetën 15 mijë paundë, të cilat tentonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga territori i Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në shkelje të ligjit.

Policia Kufitare bën me dije se kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB