Kryetarja e AMA-s vizitë zyrtare në SHBA, takime me zyrtarë në Departamentin e Shtetit dhe figura të shquara të medias amerikane

09/02/2026 12:58

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka zhvilluar një vizitë 2-ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj vizite në Uashington DC, në të cilën shoqërohej nga Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, Romelda Rrapollari, Krasniqi është pritur në Departamentin e Shtetit nga Zyrtari për çështjet për Shqipërinë, John W Robbins, Zyrtari për Diplomacinë Publike për Çështjet e Europës Qendrore, Michael Marble dhe Zyrtari për Iniciativat e Politikave Ndërkombëtare, Evan Lord.

Temat e diskutimit në këtë takim kanë qenë transparenca e pronësisë së medias, transpozimi në legjislacionin shqiptar i akteve të rëndësishme europiane, dhe iniciativa të tjera ligjore që synojnë rregullimin e mëtejshëm të tregut mediatik. Kryetarja Krasniqi u ka bërë me dije inicitivat e deritanishme të AMA-s që synojnë rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove dhe sfidat që paraqet ky rregullim. Gjithashtu është diskutuar mbi fenomenet negative si Dezinformimi e gjuha e urrejtjes në të gjitha format me të cilat ajo shfaqet, mbi integritetin e informacionit dhe çështje të tjera që lidhem me ambjentin mediatik në Shqipëri.

“Kjo vizitë i shërben institucionit tonë, i cili tashmë nuk është më vetëm një përfitues, por edhe kontribues i politikave lidhur me integritetin e informacionit dhe lirinë e medias”, ka thënë Krasniqi pas kësaj vitzite.

Gjithashtu gjatë qëndrimit në Uashington, Krasniqi ka marrë pjesë në ceremoninë e zgjedhjes së presidentit të ri të “The National Press Club” (Klubi Kombëtar i Medias), që është edhe organizata më e rëndësishme mediatike në SHBA. Gjatë ceremonisë, Krasniqi është takuar me figura të njohura të medias amerikane.

“Të gjithë gazetarëve shqiptarë ju them se “The National Press Club”, bashkë me shumë organizma në Europë, ju mbështet”, i është drejtuar me një mesazh gazetetarëve shqiptarë, Mark Schoeff Jr, Presidenti i sapozgjedhur, i 119-ti i Klubit Kombëtar Amerikan të Gazetarëve. “Ne do të luftojmë për të mbrojtur të drejtën tuaj për të raportuar rreth Shqipërisë dhe për të informuar qytetarët shqiptarë për çka ndodh aty dhe përreth”.

Krasniqi, duke falenderuar për ftesën ka siguruar se liria e shprehjes është shumë e rëndësishme për institucionin që ajo drejton.

Klubi Kombëtar i Medias është vendi i takimit për krijuesit e lajmeve dhe gazetarët në SHBA. Krijimi i tij daton në vitin 1908 dhe gjatë gjithë historisë së tij ka shërbyer si një arenë e rëndësishme nëpër të cilën kanë kaluar emra të rëndësishëm të medias, institucioneve, të politikës amerikane dhe botërore për të ndarë pikëpamjet e tyre mbi ngjarjet aktuale me median dhe publikun. Misioni i Klubit Kombëtar të Medias, si Organizata Kryesore Profesionale në Botë për Gazetarë, është t’i shërbejë anëtarëve të tij përmes aktiviteteve të zhvillimit profesional që rrisin aftësitë e tyre, përmes shërbimeve që plotësojnë nevojat në ndryshim, të profesionistëve të komunikimit, me aktiviteteve sociale me ndikim në SHBA dhe mbarë botën.

Ndërkaq ndalesa e radhës e Kryetares së AMA-s në Uashington ka qenë në Universitetin John Hopkins. Aty është takuar me Prof. Asc. Edward P Joseph, dhe stafin e editorëve të revistës shkencore të kësaj qendre, kryeredaktoren Clarisa Merkatz, editorin Frank Gamez dhe menaxheren editoriale, Alexandra Venegas. Temë e bisedës kanë qenë sfidat e tregut mediatik dhe ndikimi i teknologjisë. Gjatë takimit Kryetarja Krasniqi u ka bërë me dije punën e rregullatore të AMA-s në tregun mediatik audioviziv, përshtatjet me ndryshimet digjitale dhe fenomenet shqetësuese që vihen re sot në media.

SIAS është një qendër me ndikim në ekspertizën mediatike dhe diplomaci. Kjo vizitë në një nga qendrat kryesore të Universitetit prestigjioz John Hopkins është një hap i parë i hedhur drejt studimeve dhe projekteve të përbashkëta rregullatore.

Kjo është vizita e dytë e Krasniqit në DASH, pas asaj të vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB