Analiza nga Politico: Projekti franko-gjerman për avionin luftarak të gjeneratës së re është “i vdekur”

09/02/2026 17:53

Projekti shumë i diskutuar i avionit luftarak të gjeneratës së gjashtë, i njohur si Future Combat Air System (FCAS), i zhvilluar nga Franca, Gjermania dhe Spanja, ndodhet në prag të dështimit total.

Kështu bëjnë të ditur për POLITICO katër zyrtarë evropianë në Paris dhe Berlin, të njohur me ecurinë e projektit.

Sipas një burimi të informuar mbi qëndrimin e presidentit Emmanuel Macron, projekti ka më shumë gjasa të mbyllet sesa të rihapet.

“Një njoftim se projekti ka përfunduar është më i mundshëm sesa ri-nisja”, u shpreh ai të premten. Të njëjtin vlerësim ndan edhe një deputet francez i angazhuar në politikat e mbrojtjes, i cili tha se “FCAS ka vdekur, të gjithë e dinë, por askush nuk dëshiron ta thotë hapur”.

Dështimi i këtij programi ambicioz, që synonte ndërtimin e një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë të shoqëruar nga dronë dhe një “re luftarake” dixhitale, do të përbënte një goditje të fortë politike për presidentin Macron. Projekti u lançua personalisht prej tij në vitin 2017, së bashku me kancelaren e atëhershme gjermane Angela Merkel, por prej gati një viti ka mbetur i paralizuar për shkak të përplasjeve industriale dhe mosmarrëveshjeve mes palëve.

Një kolaps i FCAS-it do të ishte “një sinjal shumë negativ”, pikërisht për këtë arsye Macron ka ushtruar presion për shpëtimin e tij, shpjegon i njëjti zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti. Ndërkohë, zyra e shtypit e qeverisë gjermane dhe Ministria franceze e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të POLITICO-s për koment mbi mundësinë e mbylljes së afërt të projektit.

Megjithatë, zyrtarë francezë kanë deklaruar publikisht se ende shpresojnë në vazhdimin e tij. “Po bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar këtë program. Do të shohim se si mund të arrijmë në një zgjidhje”, deklaroi këtë javë drejtori i ri i Agjencisë Franceze të Prokurimit të Armëve, Patrick Pailloux.

Problemet e FCAS-it nxjerrin në pah vështirësitë e bashkëpunimit industrial evropian në fushën e mbrojtjes, në një kohë kur kontinenti po përshpejton riarmatimin përballë Rusisë dhe një tërheqjeje graduale ushtarake të SHBA-së. Në qendër të konfliktit ndodhet avioni i pilotuar, për të cilin kompanitë Dassault dhe Airbus janë përplasur ashpër mbi çështje lidershipi, teknologjie dhe ndarjeje pune. Dassault kërkon më shumë kontroll mbi zhvillimin e avionit të gjeneratës së re (NGF), komponent kyç i FCAS-it.

Për muaj të tërë, Franca dhe Gjermania janë përpjekur të zgjidhin mosmarrëveshjet, duke vendosur edhe një afat më 17 dhjetor të vitit të kaluar, por pa arritur ndonjë marrëveshje. Ndërkohë, në Berlin po shqyrtohet në heshtje një ndryshim i thellë qëndrimi. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka vlerësuar disa skenarë, nga ndarja e komponentit të avionit të pilotuar në dy projekte kombëtare, deri te tërheqja e plotë e Gjermanisë nga FCAS-i.

Sipas burimeve qeveritare dhe industriale gjermane, Merz ua ka përcjellë këtë qasje edhe përfaqësuesve që kanë vizituar Parisin, por autoritetet gjermane ende po kërkojnë mënyrën se si ta komunikojnë një vendim të tillë. Kriza rreth FCAS-it ka rritur vëmendjen edhe ndaj programit rival Global Combat Air Programme (GCAP), të udhëhequr nga Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia.

Në Berlin, zyrtarë gjermanë këmbëngulin se vendi dëshiron të ruajë disa pjesë të projektit, veçanërisht “renë luftarake” të përbashkët dhe sistemet e tjera të integruara, edhe nëse avioni luftarak përfundon i ndarë në dy projekte të veçanta kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB