101 dronë rusë sulmojnë Ukrainën/ Plagosen 11 persona, goditet edhe rrjeti elektrik i Kievit Përparimi i ushtrisë ruse në Ukrainë po ecën shumë më ngadalë nga sa kishte parashikuar Kremlini.
Në skenarët e Vladimir Putinit, njësitë ruse duhej ta kishin marrë tashmë të gjithë Donbasin dhe të kishin rrethuar Zaporizhian, duke detyruar Volodymyr Zelenskyn të kërkonte armëpushim. Por në terren realiteti rezulton ndryshe: Kievi po qëndron në mbrojtje dhe në disa sektorë po kalon edhe në kundërsulm.
Të dhënat e analistëve ushtarakë ukrainas të platformës Deep State tregojnë qartë ngadalësimin e ritmit të ofensivës. Në nëntor, Rusia arriti të pushtojë rreth 505 kilometra katrorë territor, në dhjetor kjo shifër ra në 445, ndërsa në janar përparimi u ndal në 245 kilometra katrorë.
Ajo që shqetëson më shumë Moskën është fakti se humbjet në njerëz dhe pajisje nuk kanë rënë, çka do të thotë se po përdoren të njëjtat burime për të arritur vetëm gjysmën e rezultateve të mëparshme.
Një nga faktorët kryesorë është moti ekstremisht i ftohtë. Trupat sulmuese ruse janë të detyruara të dalin nga bunkerët dhe llogoret për të avancuar në terren të hapur, duke u përballur me temperatura ngrirëse, ndërsa ukrainasit, të vendosur në mbrojtje, kanë avantazhin e pozicioneve të fortifikuara.
Një tjetër goditje për operacionet ruse ka qenë vendimi i Elon Musk për të bllokuar përdorimin e Starlink nga ana e Rusisë. Sipas Institutit për Studimin e Luftës në Uashington, mungesa e këtij sistemi satelitor ka “verbuar” njësitë në front dhe ka detyruar komandantët rusë të reduktojnë numrin e sulmeve.
Top Channel