Me qëllim pagimin e një tarife më të ulët energjie, me dhjetëra biznese kryesisht në kryeqytet përfitonin duke vijuar ende si një konsumatorë familjarë.
Furnizuesi i Shërbimit Universal pjesë e OSHEE ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e kontratave të energjisë elektrike, me qëllim ndryshimin e tarifimit sipas sistemit të ri të pagesës së energjisë.
Administratori i FSHU Algert Luzi tregon për Top Channel llojet më të shumta të bizneseve në shkelje: “Kjo kryesisht është konstatuar në godinat e reja të banimit në katet e larta pavarësisht se ky apartament ka qenë për banim është vënë re se disa subjekte i kanë marrë dhe përdorur si biznese zyra shërbime. Janë zyra noterie kontabiliteti klinika dentare, biznese estetike”.
Sipas FSHU, ky fenomen vjen si pasojë e regjistrimeve të vjetra apo mungesës së përditësimeve të kontratave, ndërkohë që objektet përdoren realisht për qëllime ekonomike.
Për këtë arsye, kompania ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe u bën thirrje të gjitha bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar, të kontrollojnë kategorinë e tyre të kontratës dhe të kryejnë përditësimin e nevojshëm. Por çfarë ndodh nëse bizneset gjenden përsëri në shkelje?
“Abonentët familjar që konsumojnë mbi 700 kwh tarifohen me 9.5 lekë/kwh ndërsa subjektet tarifohen me 14 lekë/kwh. Për këto subjekte pas konstatimit ndryshon tarifimi direkte nëse gjenden përsëri në shkelje do të ndërmerren penalitete”, shprehet Luzi.
FSHU bënë thirrje për rritjen e bashkëpunimit me grupet e kontrollit me qëllim shmangien e penaliteteve dhe garantimin e një sistemi tarifimi të drejtë për të gjithë konsumatorët.
Top Channel