Irani paralajmëron SHBA: Nëse sulmohemi, do të godasim bazat amerikane në rajon

07/02/2026 16:09

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Irani do të përgjigjet ushtarakisht nëse Shtetet e Bashkuara e sulmojnë, duke theksuar se objektivat do të jenë vetëm bazat amerikane në rajon dhe jo vendet pritëse.

Në një intervistë për Al Jazeera Arabic, Araghchi bëri të ditur se Teherani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për një raund të dytë bisedimesh, i cili pritet të zhvillohet së shpejti, edhe pse ende nuk ka një datë të caktuar.

Ai pranoi se rreziku i një konflikti ushtarak ekziston, por nënvizoi se Irani është i përgatitur si për një zgjidhje paqësore, ashtu edhe për luftë. Sipas tij, Teherani ka garantuar vendet e rajonit se nuk do t’i sulmojë ato, por vetëm praninë ushtarake amerikane në territorin e tyre, në rast përshkallëzimi.

Sa i përket diplomacisë, Araghchi theksoi se Irani është i gatshëm të diskutojë vetëm çështjen bërthamore dhe refuzon zgjerimin e dialogut me SHBA-në në tema të tjera, duke kërkuar ndaljen e kërcënimeve dhe presionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB