Bisedimet SHBA–Iran në Oman mbyllen pa marrëveshje, palët shprehin gatishmëri për vijim Në pragun e një takimit të rëndësishëm mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, tensionet mes Greqisë dhe Turqisë janë rritur sërish.
Dy vendet, aleate në NATO, pritet të përballen në Ankara në kuadër të mbledhjes së “Këshillit Suprem të Bashkëpunimit Greqi-Turqi”, i cili nis punimet të hënën. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Erdogan dhe Mitsotakis do të jenë të pranishëm në takim, me mundësinë edhe të një takimi dypalësh të veçantë.
Ky mekanizëm bashkëpunimi u krijua në vitin 2010, pas një periudhe tensionesh në Mesdheun Lindor, me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe turizmit. Megjithatë, rezultatet konkrete kanë qenë të kufizuara dhe këshilli është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, hera e fundit në dhjetor 2023 në Athinë.
Sakaq, mosmarrëveshjet në Detin Egje kanë nxjerrë krye sërish. Një pikë e re debati është përdorimi nga Turqia i sistemit të navigimit detar Navtex, për të lëshuar paralajmërime lidhur me aktivitetet ushtarake greke. Athina e sheh këtë si një përpjekje të paligjshme për të zgjeruar ndikimin turk në Egje, ndërsa media greke e ka cilësuar si “provokim të ri”. Nga ana tjetër, Ankaraja e konsideron një veprim rutinë dhe në përputhje me ligjin.
Këto zhvillime duket se po shtojnë presionin politik mbi qeverinë greke, veçanërisht nga forcat nacionaliste të djathta, të cilat akuzojnë Turqinë për shkelje të hapura të sovranitetit grek në Detin Egje.
Prej dekadash, dy vendet janë në konflikt për çështje si shelfi kontinental, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe zgjerimi i ujërave territoriale.
Top Channel