Atentat në Moskë, qëllohet me armë ushtaraku i lartë rus
Zyrtarë të lartë të qeverisë së Keir Starmer po përgatiten të dorëzojnë mesazhe dhe komunikime private me Lord Mandelson, ndërsa pritet publikimi i dokumenteve për emërimin e tij si ambasador në SHBA.
Skandali ka detyruar Sir Keir të kërkojë falje të mërkurën ndaj viktimave të Jeffrey Epstein, duke pranuar se kishte besuar “gënjeshtrat” e Lord Mandelson dhe e kishte emëruar atë, ndonëse miqësia e tij me pedofilin tashmë ishte e njohur publikisht.
Pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit për të zbutur situatën, disa deputetë nga radhët e Partisë Laburiste po i bëjnë thirrje që të japë dorëheqjen.
Paralajmërimet për përmasa më të mëdha të skandalit erdhën edhe nga ish-drejtori i komunikimit në Downing Street, i cili tha se publikimi i mesazheve private mund të përfshijë edhe figura të tjera publike.
“Nuk mendoj se mund të nënvlerësohet serioziteti i kësaj situate,” deklaroi James Lyons për BBC. Ai shtoi se miratimi për publikimin e dokumenteve lidhur me emërimin e Mandelson do të thotë se “jemi vetëm në fillim të asaj që mund të zbulohet”.
BBC mëson se qëndrimi i Lord Mandelson është se ai u është përgjigjur pyetjeve mbi marrëdhënien e tij me Epstein gjatë procesit të verifikimit.
Sir Keir Starmer ka premtuar publikimin e dosjeve, për të cilat thotë se do të provojnë se Mandelson ka gënjyer për shkallën e miqësisë me Epstein gjatë verifikimit për postin e ambasadorit.
Çdo dokument që qeveria e konsideron të papërshtatshëm për publikun do t’i kalojë Komisionit Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë për shqyrtim të mëtejshëm. Ky komision ka bërë të ditur se pret të marrë të gjitha dokumentet që bien brenda këtij procesi, përfshirë komunikime personale mes figurave qeveritare dhe Lord Mandelson që nga fitorja zgjedhore e Laburistëve.
Komisioni ka shtuar se dokumentet pritet t’i paraqiten parlamentit “shumë shpejt”.
Nëse dokumentet e publikuara shkaktojnë tronditje për qeverinë lidhur me atë që dihej për marrëdhënien mes Mandelson dhe Epstein, kjo mund ta vendosë kryeministrin përballë një tjetër momenti kritik.
Zemërimi brenda Partisë Laburiste mbetet i fortë. Edhe pse vetëm disa deputetë janë shprehur publikisht, shumë të tjerë kanë ngritur shqetësime privatisht.
“Është i mbaruar,” i tha një deputet laburist BBC-së. “Është e pashmangshme, edhe pse jo e menjëhershme,” tha një tjetër. Një i tretë e krahasoi kryeministrin me “një kafshë të plagosur për vdekje, që përpiqet të tregojë forcë duke e ditur se fundi është afër”.
Megjithatë, disa deputetë janë më mbështetës, duke theksuar se zemërimi kryesor është drejtuar ndaj Mandelson dhe jo ndaj vetë Sir Keir.
Top Channel