Bota e modës në zi/ Modelja 21-vjeçare e Versace-s dhe vajza e ish-futbollistit të njohur gjendet e vdekur në shtëpinë e saj në Spanjë
Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar më shumë se 30 ton kanabis gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetet e Shkupit dhe Strumicës, në atë që konsiderohet sasia më e madhe e konfiskuar ndonjëherë në një aksion të vetëm në vend, bëjnë me dije burime policore.
Sipas autoriteteve, kanabisi ishte kultivuar ligjërisht për qëllime mjekësore, por dyshohet se ishte destinuar të devijohej ilegalisht drejt tregut të zi për përdorime të tjera.
Hetimet janë përqendruar edhe te një kompani e kultivimit të kanabisit me interesa serbe, me seli në Shkup. Kjo kompani dyshohet se lidhet edhe me sekuestrimin e pesë tonë kanabis nga policia serbe më 30 janar 2026, në një ndërmarrje të vogël bujqësore në një fshat të Serbisë qendrore. Autoritetet serbe kanë deklaruar se sasia e sekuestruar kishte origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Për këtë rast, policia serbe ka arrestuar tre persona, përfshirë bashkëpronarin e kompanisë me interesa serbe, një shtetas serb, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e dy personave të tjerë të përfshirë.
Duke komentuar operacionin e madh policor, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se publiku do të befasohet nga përmasat e vërteta të çështjes. Ai theksoi se bëhet fjalë për dhjetëra tonë kanabis që pritet të zbulohen dhe sekuestrohen.
“Pres që policia të identifikojë dhe konfiskojë dhjetëra tonë drogë, konkretisht kanabis, të cilët aktualisht ndodhen në depo në vend dhe kishin për qëllim të kanalizoheshin ilegalisht si në tregun e zi vendas ashtu edhe jashtë vendit,” deklaroi kryeministri.
Në Maqedoninë e Veriut, që nga viti 2017, 61 kompanive u janë dhënë licenca për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa aktualisht 43 prej tyre mbeten aktive. Sipas mediave lokale, raste të zhdukjes së sasive të prodhuara ligjërisht dhe përfundimit të tyre në tregun e zi nuk janë të rralla, duke ngritur shqetësime serioze për kontrollin dhe mbikëqyrjen e këtij sektori.
Top Channel