Tensione të reja në Egje mes Greqisë dhe Turqisë, asnjë marrëveshje në horizont
Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillojnë sot bisedime direkte në Oman, në një moment tensioni që ka rritur frikën për një konflikt të hapur ushtarak mes dy vendeve.
Takimet vijnë pas rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme të protestave mbarëkombëtare antiqeveritare në Iran muajin e kaluar. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se gjatë protestave janë vrarë mijëra persona.
Bisedimet do të zhvillohen në kuadër të një përpjekjeje diplomatike nga ndërmjetës rajonalë për të ulur tensionet. Megjithatë, qëndrimet e dy palëve mbeten shumë larg njëra-tjetrës. Shpresa është që, nëse bisedimet kanë sukses, të krijohet një kornizë për negociata të mëtejshme.
SHBA kërkon që Irani të ngrijë programin e tij bërthamor dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar. Uashingtoni ka deklaruar se bisedimet duhet të përfshijnë gjithashtu programin e raketave balistike të Iranit. Irani, nga ana tjetër, ka bërë të ditur se bisedimet do të kufizohen vetëm te programi bërthamor.
Gjatë javëve të fundit, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. SHBA ka dërguar mijëra trupa dhe një forcë të madhe detare në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë.
Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi me forcë, duke kërcënuar objektiva ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izraelin.
Delegacioni iranian do të drejtohet nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili javën e kaluar deklaroi se forcat e armatosura iraniane janë “me gishtin në këmbëz”. SHBA do të përfaqësohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.
Kjo është hera e parë që zyrtarë amerikanë dhe iranianë takohen që nga lufta mes Izraelit dhe Iranit në qershor të vitit të kaluar, kur SHBA bombardoi tre objektet kryesore bërthamore të Iranit. Teherani thotë se pas këtyre sulmeve aktiviteti i pasurimit të uraniumit është ndalur.
Për udhëheqjen iraniane, e cila përballet me presion të madh të brendshëm, këto bisedime mund të jenë mundësia e fundit për të shmangur një ndërhyrje ushtarake amerikane, që sipas analistëve do ta destabilizonte edhe më tej regjimin, tashmë në pozicionin më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Bisedimet fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në Stamboll, nën ndërmjetësimin e Egjiptit, Turqisë dhe Katarit, por Irani kërkoi në momentet e fundit që ato të zhvendoseshin në Oman dhe të kufizoheshin vetëm mes përfaqësuesve iranianë dhe amerikanë.
Top Channel