Gjykata Kushtetuese nuk merr dot vendim për padinë e Ramës, mbetet në fuqi pezullimi i Belinda Ballukut nga detyra e zv. kryeministres

06/02/2026 21:45

Në një seancë maratonë për më shumë se 10 orë, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë arritur të marrin një vendimin për ankimimin e Edi Ramës për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.

Votat janë ndarë katër pro dhe katër kundër raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, duke mos bërë të mundur marrjen e një vendimi 5 me 3, dhe si rrjedhojë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.

“Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij.

Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit.

Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri.

Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit.

Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi”, shprehet Gjykata, në argumentimin e 4 gjyqtarëve kundër pezullimit nga detyra.

“Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj.

Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave”, thotë Gjykata për argumentin e 4 gjyqtarëve pro pezullimit nga detyra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB