Franca dhe Kanadaja hapin konsullata në Groenlandë, lëvizjet e të dy vendeve një shenjë e mbështetjes që aleatët e NATO-s po i ofrojnë ishullit

06/02/2026 18:17

Kanadaja ka inauguruar zyrtarisht një zyrë konsullore në Groenlandë, në një veprim simbolik që vjen në një moment tensioni gjeopolitik, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte deklaruar më herët se SHBA duhet të pushtojë ishullin Arktik për arsye të sigurisë kombëtare.

Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon dhe Ministrja e Jashtme, Anita Anand, udhëtuan sot drejt Nuuk, kryeqytetit të Groenlandës, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të konsullatës kanadeze.

Po sot, edhe Franca ka përuruar konsullatën e saj në Groenlandë, duke shtuar praninë diplomatike në ishull. Deri më tani, vetëm Islanda dhe Shtetet e Bashkuara kishin konsullata në Nuuk, sipas BBC.

Këto lëvizje diplomatike nga Kanadaja dhe Franca konsiderohen si një shenjë e qartë e mbështetjes së vazhdueshme nga aleatët e NATO-s për Groenlandën, pas deklaratave të Trump që shkaktuan reagime të forta në Evropë dhe më gjerë. Presidenti amerikan më pas i zbuti komentet e tij, duke deklaruar se po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.

Megjithatë, autoritetet kanadeze theksojnë se hapja e konsullatës nuk është një reagim i nxituar ndaj krizës aktuale. Vendimi ishte paralajmëruar që në fillim të vitit 2024, kur Ottawa rishikoi politikën e saj të jashtme për Arktikun. Konsullata ishte planifikuar të hapej në fund të vitit 2025, por inaugurimi u shty për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.

“Jam i befasuar që kjo nuk ndodhi më herët,” u shpreh profesori kanadez Michael Myers për BBC, duke theksuar se Iqaluit, kryeqyteti i Territoreve Veriore të Kanadasë, ndodhet vetëm një orë fluturim larg nga Nuuk. Ai shtoi se lidhjet mes inuitëve kanadezë dhe inuitëve të Groenlandës janë historikisht shumë të ngushta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB