Rikthehet TikTok “me dokumenta”, eksperti i teknologjisë: Lajm i mirë për bizneset

05/02/2026 15:19

Qeveria shqiptare riktheu zyrtarisht TikTok, pas një viti nga ndalimi i përdorimit të tij.

Vendimi i Këshillit të Ministrave lejon aksesin e plotë në aplikacion për të gjithë përdoruesit, si dhe bizneset apo krijuesit e përmbajtjeve që e përdorin këtë rrjet social si mjetin kryesor të komunikimit dhe marketingut.

Qeveria njofton se tani autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online.

Por edhe gjatë kësaj periudhe ndalimi, për një pjesë nuk ka qenë i pamundur përdorimi i TikTok, pasi kanë gjetur alternativa për të anashkaluar kufizimet.

Ndonëse debatet kanë qenë të shumta në lidhje me ndalimin e aplikacionit, zhbllokimi është pritur pozitivisht në një botë gjithnjë e më shumë të ndërlidhur digjitalisht.

“Në botën që ne jetojmë, që është super e ndërlidhur ndërmjet shërbimeve, kontentit, marketingut e formave të tjera, prania e një aplikacioni të avancuar siç është TikTok është një lajm shumë i mirë për bizneset, për ata që duan të informohen dhe pastaj për shërbime të tjera të këtij karakteri. Pamë që njerëzit, prapë në kërkim të së vërtetës apo formave më të reja liberalizuese të të bërit marketing ose të ofruarit të perspektivës së tyre të botës, gjetën nëpërmjet VPN-ve ose mënyrave të tjera mundësi për ta aksesuar prapë këtë rrjet që është super i fuqishëm”, tha Arben Kadia, ekspert i teknologjisë.

Mbyllja e TikTok ishte e përkohshme, në mënyrë që qeveria shqiptare të arrinte një marrëveshje me kompaninë mëmë për vendosjen e filtrave, si një ndërhyrje parandaluese në funksion të mbrojtjes së interesit publik.

Por gjatë kësaj periudhe bllokimi, ndikimi është ndjerë më tepër nga përdoruesit që gjeneronin të ardhura nga ky aplikacion.

“Impakti është ndjerë më shumë nga ata të cilët ishin të përfshirë dhe gjeneronin të ardhura të mira dhe bizneset e vogla, të cilët nuk kanë akses për të reklamuar produktet apo shërbimet e tyre. Krahas kësaj, vështirësia më e madhe që unë shoh është fakti që duke hequr TikTok ose platforma të medias sociale, mund të shkojmë në një zvogëlim të lirisë së shprehjes që mund të kenë njerëzit. Tani kontrolli është shumë i duhur, por impakti mund të ishte menaxhuar në një mënyrë pak më të zbutur dhe jo aq me thikë saç erdhi”, tha Arben Kadia, ekspert i teknologjisë.

Në mars të vitit të kaluar u ndalua përdorimi i TikTok në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pas konsultimeve me prindër dhe mësues, që u nxitën nga ngjarja tragjike që i mori jetën 14-vjeçarit Martin Cani, nga vrasja me thikë nga bashkëmoshatari i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB