Largimi i shqiptarëve me diploma/ Vazhdon ikja e profesionistëve, raporti i BERZH: Një në katër të rinj studion jashtë

05/02/2026 19:54

Shqiptarët me diplomë zgjedhin të lënë vendin, rreth një e katërta e tyre, tregon raporti më i fundit i tranzicionit të BERZH.

Por të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se jo vetëm “truri largohet”, por emigrimi ndodh edhe nga rinia për arsye edukimi. Një në 4 emigrantë shqiptarë të moshës nën 30 vjeç po ndjekin arsimin e lartë jashtë.

Largimi i të rinjve është largimi i ushqimit, burimit të tregut të punës, të rritjes ekonomike, të thelbit të familjes. Largimi i specialistëve është i lidhur edhe me kusht të jashtëm se ka boshllëk e në tregun ndërkombëtar, por kuptohet se ndodh për shkak të kushteve më të mira të jetesës, me siguri më të madhe, me të ardhura më shumë, me shkolla e kujdes shëndetësor më të mirë apo promovim e shpërblim për shkak të meritës”, shprehet Suzana Guxholi, akademike.

Pasojat janë afatgjata në vlerësimin e akademikes Suzana Guxholli, e cila nënvizon daljen në pah të tkurrjes së Shqipërisë.

Nuk është nga ato plagë që kurohet menjëherë. Ka sjell zbrazjen e tregut të punës, ka sjell pakësimin e lindjeve, plakjen e popullsisë. Gjithmonë ndodh në mënyrë graduale edhe e shtrirë në kohë,  por neve na ka ndodhur siç thotë raporti, në mënyrë të menjëhershme”, shton ajo.

Ikja e profesionistëve me karrierë nga vendi ndikon direkt në klimën e sipërmarrjeve, të cilat dukshëm po hasen me vështirësi në punësimin e individëve të arsimuar dhe me përvojë.

Sakaq Guxholi thekson “Është një largim edhe i specialistëve në moshë, që janë infermierë, IT, inxhinierë, pra në fusha që i mirëpret tregu i huaj këta ekspertë të cilët vërtet kanë investuar te vetja dhe kanë vlerë. Kjo domethënë që mungesa e specialistëve të tillë vë në vështirësi biznesin, ose mbetet pa ta e detyrohet të tkurret ose i drejtohet edhe ai tregut ndërkombëtar. Prandaj ne shohim jo vetëm vërshim të fuqisë punëtore të pakualifikuar, në turizëm, ndërtim, etj por edhe sjelljen e trurit të specialistëve të huaj, e në fakt biznesit i rritet kosto”.

Fenomeni i emigrimit të trurit po ndihet edhe në Evropë, por prania më e lartë raportohet në vende të Ballkanit Perëndimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB